Stadiumi i qytetit në Drenas pritet të marrë formën përfundimtare, pasi janë siguruar 4.5 milionë euro nga Qeveria e Kosovës, ndërsa Komuna e Drenasit do të kontribuojë me 900 mijë euro shtesë për realizimin e plotë të projektit.
Ky investim vjen si pjesë e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, në kuadër të të cilave Kosova po ndërton një infrastrukturë moderne sportive që synon të jetë ndër më të avancuarat në rajon.
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin, vizituan nga afër punimet dhe u njoftuan me ecurinë e projektit.
Ai theksoi se puna po vazhdon me seriozitet në çdo pjesë të vendit, duke e cilësuar këtë stadium si një tjetër hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të kapaciteteve sportive të Kosovës dhe rritjes së mundësive për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare.









