Përfaqësues ndërkombëtar e përfaqësues të institucioneve të Drejtësisë u bënë bashkë të mërkurën.
Kjo pasi që Misioni evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX shpalosi raportin e vitit 2025 “Raporti i Monitorimit të Drejtësisë nga EULEX”.
Raporti 60-faqesh shpalos gjetjet, ku theksohet se prokurorë dhe gjykatës nuk kanë arritur të qojnë deri në fund hetimet ku janë përfshirë zyrtarë të lartë në vepra korrupsioni.
Shefi i EULEX në Kosovë, Giovvani Pietro Barbano tha se ka një përparim të kufizuar në trajtimin e këtyre rasteve.
“Bazuar në gjetjet e tij nga monitorimi sistematik, EULEX-i vlerëson se prej publikimit të Raportit të Monitorimit të Drejtësisë të vitit 2024, nuk janë materializuar ndryshime të rëndësishme, pavarësisht angazhimeve institucionale. Ky përparim i kufizuar është dukshëm në trajtimin e rasteve të profilit të lartë, proporcionin e seancave gjyqësore produktive dhe aplikimin jokonsekuent të dënimeve plotësuese”, ka thënë Barbano.
Barbano, ka folur edhe për rastet e ndjekjes penale dhe gjykimet për krime lufte, ku ka thënë se kanë parë aktivitet në rritje, por sipas tij, autoritetet duhet të respektojnë plotësisht standardet e gjykimit të drejtë.
“Sa i përket hetimit, ndjekjes penale dhe gjykimit të krimeve sipas të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht krimeve të luftës, EULEX-i vuri në dukje aktivitetet të vazhdueshëm në rritje në të gjitha fazat. Megjithatë, ndërsa bëhen përpjekje për të ofruar drejtësi për viktimat; autoritetet duhet të respektojnë plotësisht standardet e gjykimit të drejtë: në këtë kontekst, Misioni identifikoi disa fusha shqetësuese”, është shprehur tutje Barbano.
E shefi i njësisë së EULEX-it për monitorim të rasteve, Hubert van Eck Koster theksoi se trajtimi i rasteve të profilit të lartë ka ngecur ndër vite.
“Trajtimi i rasteve të profilit të lartë kryesisht rastet që kanë të bëjnë me të pandehur të profilit të lartë akuza për dëme raporti vlerëson zhvillime të caktuar pozitive në disa raste gjykatat e kanë rritur caktimin e seancave të një pas njëshme në disa procedura të gjata e që kanë ecur përpara dhe kanë arritur deri tek aktgjykimi. Megjithatë, pasqyra e përgjithshme mbetet sfiduese shumë prej rasteve të profilit të lartë kanë ngecur për vite të tëra dhe disa nuk kanë arritur në fazën e aktgjykimeve edhe 1 dekadë pas kryerjes së veprave”, ka thënë Koster.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi vuri në dukje mungesën e prokurorëve për trajtimin e rasteve.
Sipas tij, vetëm këtë vit 92. 5% e lëndëve të pranuara kanë përfunduar.
“Ky raport nganjëherë kur dërgon rekomandime ne i marrim ato shumë seriozisht, sepse rekomandimet janë rruga jonë për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për të përmirësuar sistemin dhe për të përmirësuar nevojat e qytetarëve për një drejtësi efikase”, është shprehur Kelmendi.
E nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, thonë se për trajtimin e rasteve të profilit të lartë, do të bëhen monitorime individuale të gjyqtarëve.
“Në raste të profilit të lartë e vërteta është që dinamika të krahasueshme me raste të tjera, pavarësisht që numri i rasteve të përfunduara në vitin 2024- 2025 është në rritje. Kjo nënkupton që do të kemi planifikim më të mirëfilltë për mbikëqyrje brenda gjykatës në radhë të parë, raportim të secilit që janë në proces të monitorimit të gjyqësorit qoftë të Gjykatës Supreme qoftë të Këshillit por edhe një koncept që do të ketë individualizim të çdo gjyqtari në kodin e etikës por edhe rregulloren që ne presim të miratojmë gjatë muajit mars të këtij viti”, ka thënë Zogaj.
Raporti ka vlerësuar si shqetësues rastet kur prokurorët kërkojnë paraburgim për një të pandehur dhe më pas gjykata nuk e aprovon, ku më pas personat e dyshuar janë arratisur nga Kosova.
Ky raport është bazuar në monitorimin e rreth 400 seancave dhe mbledhjen e të dhënave nga policia, zyrtarët gjyqësorë, pjesëtarë të Odës së avokatëve dhe shoqërisë civile.






