Dhimbjet e kokës janë një shqetësim i zakonshëm që pothuajse të gjithë i përjetojmë herë pas here. Ato mund të zgjasin nga disa minuta deri në disa ditë dhe ndonjëherë shtrihen në skalp, fytyrë apo qafë.
Ekspertët shpjegojnë se, edhe pse dhimbja mund të jetë e fortë dhe shqetësuese, në shumicën e rasteve nuk ka arsye për panik. Megjithatë, nëse përjetoni një dhimbje më të fortë se zakonisht ose të pazakontë për ju, duhet të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
Në rastet e dhimbjeve të lehta apo të përsëritura, mund të ndiqni disa këshilla të thjeshta që ndihmojnë në menaxhimin e tyre në kushte shtëpie.
Vëzhgoni si dhe kur shfaqet dhimbja
Dhimbjet e kokës rrallë kanë një shkak të vetëm. Ekspertët këshillojnë mbajtjen e një ditari për të identifikuar modelet dhe faktorët nxitës.
Për disa persona, ndryshimet e motit, si bubullimat apo luhatjet e presionit atmosferik, mund të jenë shkak. Për të tjerë, ndjeshmëria ndaj dritës, mungesa e gjumit apo stresi mund të jenë faktorët kryesorë.
Në ditar mund të shënoni çfarë po bënit kur nisi dhimbja, çfarë keni ngrënë apo pirë, si keni fjetur dhe si ishte moti. Për gratë, është e dobishme të shënohet edhe faza e ciklit menstrual, pasi ndryshimet hormonale shpesh ndikojnë.
Kujdes me kafeinën
Kafeina në sasi të vogla mund të ndihmojë që qetësuesit të veprojnë më mirë, por përdorimi i tepërt mund të ketë efekt të kundërt dhe të shkaktojë dhimbje më të shpeshta.
Këshillohet të shmanget konsumimi i saj në orët e pasdites apo në mbrëmje, pasi mund të ndikojë në gjumë. Po ashtu, ndërprerja e menjëhershme e konsumit të përditshëm të kafeinës mund të çojë në dhimbje koke për shkak të mungesës së saj.
Mos e lini veten pa ngrënë
Një nga shkaqet më të zakonshme të dhimbjeve të kokës është mungesa e vakteve. Një dietë e balancuar, e ngjashme me atë mesdhetare, me proteina, yndyra të shëndetshme dhe karbohidrate komplekse, ndihmon në mbajtjen e energjisë dhe stabilitetit të organizmit.
Këshillohet të shmanget konsumimi i tepërt i sheqernave dhe të mos anashkalohen vaktet kryesore. Gjithashtu, është e rëndësishme të pini mjaftueshëm ujë gjatë ditës, një nga mënyrat më të thjeshta për të parandaluar dhimbjet e kokës që lidhen me dehidratimin.
Shmangni qetësuesit me kodeinë
Ekspertët paralajmërojnë që përdorimi i tepruar i ilaçeve që përmbajnë kodeinë mund të përkeqësojë gjendjen, duke shkaktuar dhimbje më të shpeshta.
Nëse përdorni qetësues pa recetë, bëjeni këtë me kujdes dhe jo më shumë se dy ditë në javë. Në rast se dhimbjet bëhen të vazhdueshme, konsultohuni me mjekun për një trajtim më të përshtatshëm.











