Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë nisur një protestë të re para ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe Shoqatës Sindikale të Radios së Kosovës, protesta organizohet si reagim ndaj mosreflektimit të institucioneve përgjegjëse për transferimin e pjesës së dytë të buxhetit të RTK-së për vitin 2025.
“Ky buxhet është miratuar me ligj dhe përbën detyrim ligjor për ekzekutim,” thuhet në njoftim.
Në njoftim gjithashtu theksohet se “mosveprimi deri më tani ka krijuar një situatë të rëndë për punëtorët e RTK-së duke rrezikuar seriozisht mirëqenien e tyre dhe funksionimin normal të transmetuesit publik.”
Punëtorët e RTK-së kërkojnë që institucionet kompetente të veprojnë menjëherë për të garantuar financimin dhe pagesat e punëtorëve, duke ruajtur kështu funksionimin e transmetuesit publik dhe të drejtën e qytetarëve për informim të pavarur.
Ndryshe, punëtorët e RTK-së kanë protestuar edhe me 6 nëntor për mungesë të pagave.
Kryetari i SPERTK, Gëzim Bimbashi në fjalën e tij tha se gjendja aktuale është fyerje për punën dhe dinjitetin për secilin punëtorë të RTK-së.
“Sot jemi këtu jo për lluks, jo për rritje pagash fatkeqësisht por për një të drejtë themelore për pagën tonë që na takon me ligj. Kjo është fyerje për punën dhe dinjitetin për secilin punëtorë në RTK”, ka thënë Bimbashi.
Punëtorët e RTK-së protestojnë për pagat, paralajmërojnë grevë të përgjithshme







