Autore:Jona Kelmendi
Këtë të mërkurë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj këtyre personave.
Nën dyshimin se gjatë procesit të licencimit të auto-shkollave janë pranuar para në këmbim të kalimit të testit të vozitjes.
Sipas Prokurorisë, në këtë rast janë përfshirë edhe zyrtarë që kanë keqpërdorur pozitën e tyre gjatë vendimmarrjes për licencim.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave dhe atë A.B., E.Q., F.S., S.M. dhe V.V., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet nga Prokuroria Themelore.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, tha se institucionet duhet të trajtojnë në mënyrë serioze problemet e korrupsionit në këtë sektor dhe të ndërmarrin masa parandaluese.
“Duhet me pas programe të caktume të cilat duhet me i zhvillu në kuadër të ministris e cila duhet me i identifiku problemet, e pastaj secili problem që identifikohet duhet me i marrë masat preventive që mos me i keqpërdor më pozicionet e personave të cilët e majn testimin për patent shofer. Institutcionet tona publike nuk janë marrë me problemin e hulumtimit të korrupsionit e të krimit të organizuar të patent shoferëve”, shprehet Dedaj.
Ndërsa, avokati Arber Jashari thekson se ligji parashikon dënime të rënda për çdo person që përfshihet në dhënie apo marrje ryshfeti.
“Natyrisht kjo veper ka pasoja të mëdha dhe ligji ka paraparë dënime të ashpra për persona të cilët qoftë për ata që japin ryshfet edhe për ata që marin ryshfet, dënimi për ata që marin ryshfet nuk mjafton vetëm marrja por edhe kërkimi i ryshfetit është vepër penale edhe pranimi se do të pranojë ndonjë dhuratë të caktuar në shkëmbim është vepër penale dhe këtu ligjëvënësi ka pa që personi që nxinet në këtë vepër mund të dënohet deri në 8 vite por dënimi mund të jetë edhe më i lartë varësisht prej rrethanave dhe varësisht prej tipareve të veprës penale”, thotë Jashari.
Jashari theksoi gjithashtu qëorganet duhet të merren seriozisht më këtë pasi që kjo dukuri ka sjellë pasoja të mëdha në trafikun publik.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në një njoftim kanë treguar që do mbeten të përkushtuar në luftimin e veprave penale të korrupsionit, si dhe në ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë në kryerjen e këtyre veprave.








