Krasniqi tha se ndjehet i kënaqur të shohë këto projekte të reja transformuese që Agim Aliu është duhet i implementuar me ekipin e tij, projekte të premtuara gjatë fushatës zgjedhore.
“Kur ka vepra, veprat flasin më shumë se fjalët, dhe kur vijmë në Ferizaj ne shohim vepra shumë. Sa herë që vij këtu dhe besoj që kushdo që vjen në Ferizaj frymëzohet, sepse sheh një punë të jashtëzakonshme transformuese, e cila e ka përmirësuar dhe ka ndikuar pozitivisht në jetën e qytetarëve të kësaj komune. Por, përtej saj e ka ndikuar edhe cilësinë e jetës të të gjithë qytetarëve të këtij rajoni”, tha ai.
Lideri i PDK-së duke e cilësuar Qendrën Multifunksionale si një projekt madhështor, unik dhe vizionar, tha se kjo do ta transformojë jetën kulturore, artistike dhe qytetare edhe në këtë dimension të të gjithë banorëve të Ferizajt.
“Njerëzit që kanë një vizion siç është Agim Aliu e meritojnë mbështetjen qytetare, por e meritojnë edhe mbështetjen qeveritare. E që për fat të keq në këto vite e kemi pa që është e munguar tek këto komuna që udhëhiqen nga kryetarët që nuk i përkasin partisë që e udhëheq vendin në nivelin qendror. Eshtë për keqardhje, sepse vullneti që ekziston këtu duhet jo vetëm të mbështetet, por duhet edhe të shërbej si shembull dhe model edhe për vendet tjera, para së gjithash edhe për qeverinë, e cila për më shumë se një vit është në pushtet dhe ende nuk e ka filluar asnjë projekt kapital”, theksoi Krasniqi.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu duke falënderuar kryetarin Krasniqi për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme nga Partia Demokratike e Kosovës në realizimin secilit projekt kapital, tha se Ferizaj tashmë është shembull i zhvillimit dinamik të Republikës së Kosovës.
“I nderuar kryetar Krasniqi faleminderit që jeni në Ferizaj, që tashmë është pjesë e një ndryshimi substancial dhe që nuk e njeh ngadalësinë, por përkundrazi vazhdon në përmbushje të vizionit që tashmë ne e kemi ndërtuar. Unë jam shumë falënderues që me ekipin tim kemi ndërtuar një vizion që kapërcen mandatet. Sepse ne ku kemi marrë mandatin në vitin 2017 kemi thënë që nuk kemi ardhë këtu dhe nuk kemi fituar vetëm për të kaluar një katërvjeçar, por dëshirojmë ta ndërtojmë të ardhmen përmes projekteve dhe përmes vizionit që praktikisht ishte fitues asokohe”, tha ai.