Fillimisht një veturë erdhi për ta kontrolluar terrenin. E pasi verifikuan se gjithçka është në rregull, e sollën edhe të dënuarin.
Në këtë formë, të hënën nën masa të rrepta sigurie, policia e EULEX-it të asistuar nga ajo e Kosovës, e sollën për ta vizituar varrin e babait, Hysni Gucatin.
Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e babait të shtunën, pasi që ndodhej në burgim në Hagë, por vizita te varri i babit iu lejua sot.
Krejt këtë ngjarja Tëvë1 e ka përcjellë nga afër.
Pas disa minutash, me lule në dorë pasi doli nga furgoni i policisë, Hysni Gucati, iu drejtua varrit të babait, Avdullah Gucatit për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
E për babain e shokun e luftës, nuk munguan lutjet.
Por, edhe dhimbja e ndarjes ishte e madhe.
Ndërkohë gjatë gjithë kohës, varrezat e fshatit Morinë të Skenderajt, ishin nën mbikëqyrje të rreptë nga forcat e Eulexit.
Pas disa minutash tek varri i të atit, po në përcjellje të Eulex-it, u largua nga varrezat e dëshmorëve për në familjen e ngushtë.
Vizita e Hysni Gucatit në Kosovë, u konfirmua edhe nga Gjykata Speciale.
Këta për Tëvë1 deklaruan se kjo u bë për arsye humanitare.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. Z.Gucati mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Hysni Gucati pak ditë para se të vdiste i ati, nga Gjykata Speciale në Hagë u dënua me 4 vjet e gjysmë burgim.
Raporti i gazetares, Albiona Hajdari.