Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se Kosova ka miq të mirë në administratën në ardhje Trump.
Maqedonci këtë deklaratë e ka bërë pas takimit me senatoren Joni Ernst të mërkurën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka njoftuar se gjatë këtij takimi ka konfirmuar vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për partneritet strategjik me ShBA-në, ‘me theks në mbrojtje e siguri’.
“Kosova ka miq të fuqishëm në Administratën në ardhje Trump. Tradita e marrëdhënieve të mira të Kosovës me dy taboret kryesore politike në ShBA vazhdon edhe këtë herë. Isha i nderuar të takoj miken e Kosovës dhe të miken e familjes sime, Senatoren Joni Ernst. Gjatë takimit miqësor konfirmova vendosshmërinë e institucioneve tona për partneritet strategjik me ShBA-në, me theks në mbrojtje e siguri, si garancë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Miqtë e mirë janë vlerë e Joni e ka dëshmuar gjithmonë këtë në raport me Kosovën dhe mua”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin.
Gjatë kësaj vizite, është njoftuar se ai do të zhvillojë takime të nivelit të lartë në Departamentin e Mbrojtjes, në Departamentin e Shtetit, në Senatin e SHBA-së dhe në institucione të tjera./teve1.info/