Komuna e Prishtinës ka nisur ndërtimin e një sheshi në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë. Por këtë e bëri ani pse kishte një vendim nga Gjykata Komerciale për mosbllokim të kësaj rruge. Sipas avokatit, Ardian Bajraktarit kjo është një vepër penale. E qytetarët nuk po e shohin të nevojshëm këtë investim.
Makineritë e rënda u vendosën të mërkurën në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.
Eskavatorët po e shkatërrojnë asfaltin, duke ndryshuar kështu pamjen e kësaj pjese të kryeqendrës.
Së shpejti kjo rrugë pritet të bëhet shesh i cili do u shërbejë qytetarëve të kësaj zone.
Se çfarë ndryshime pritet të bëhen këtu dha detaje zëdhënësi i komunës, Donat Lushaku.
“Është shesh dekorativ, shesh i veçantë i pjesës të këtij projekti, aq më tepër që simbolikisht e ka emrin e Rexhep Lucit, arkitiketit i njohur me përmasë edhe evropiane. Ka kushtuar 1.3 milionë euro dhe janë 120 ditë punë, punë kryerësi është zotuar që ta kryej brenda këtij afati”, ka deklaruar ai.
Por banorët e kësaj pjese nuk janë të kënaqur me investimet që po bëhen.
“Është mirë mu zgjedh do probleme me ujë e me kanalizim e tani me u marrë më këto gjana. Nuk jam as ndonjë inxhinier, por me prish rrugën e re e me qit diçka tjetër nuk po kuptoj çka po ndodh”, ka thënë qytetari, Shpëtim Arifi.
“Nuk ka pas nevojë, më shumë ka pas nevojë për shembull në qytetin e vjetër, te tregu për shembull, se ne pjesën e qytetit të vjetër vijnë turistë”, ka thënë qytetari tjëtër, Ramiz Gashi.
“Pak u habita kur e pash rrugën duke u rinovuar dhe mendova që janë duke punuar diçka me nxemje apo me ndonjë gyp, si asfaltim ka qenë në rregull por mendoj që rrugët tjera kanë nevojë më shumë se kjo pjesa këtu”, ka thënë qytetarja, Xhevahire Krasniqi.
E këto ndryshime po bëhen ani pse ka një vendim nga Gjykata Komerciale i cili ka pezulluar vendimin e komunës së Prishtinës për bllokimin e kësaj rruge.
Prandaj sipas avokatit, Ardian Bajraktari kjo është vepër penale.
“Vendimi ka qenë të gushtit të vitit 2023 të cilat i ka anuluar gjykata Komerciale shkalla e parë, përveç që i ka anulu këto vendime si të paligjshme ka vendosur edhe masë të përkohshme të në plotëfuqishmërinë e vendimit. Prandaj sipas mendimit tim, çfarëdo vendimi që merret nga Komuna e Prishtinës në rastin konkret në këto rrugë është në shpërfillje të vendimeve të Gjykatës, çka edhe përbënë vepër penale në vetvete të përcaktuar në neni 393 dhe 394. Prandaj do duhej që prokurori i shtetit të vepronte në rastin konkret”, ka thënë ai.
E për këtë, nga komuna e Prishtinës kanë një sqarim.
“Është fakt që është një vendim i gjykatës Komerciale mesa e di një mase e sigurisë për këtë zyra ligjore është më e informuar dhe mund të drejtohen me pyetje shtesë. Por sa kam marrë informacione nga drejtoria e Investimeve kapitale është ndërhyrje në rrugë, rregullim i rrugëve dhe nuk ka të bëjë me një bllokim të rrugës”, ka thënë zëdhënësi Donat Lushtaku.
Për moszbatim të vendimeve apo aktgjykimit të ndonjë nga Gjykatave të Kosovës, personi zyrtar sipas nenit 394 mund të dënohet me gjobë ose deri në dy vjet burgim.