Në Kosovë ka mungesë të mekanizmave për identifikimin e hershëm të fëmijëve që përballen me sfida të shëndetit mendor. Kështu tregojnë të gjeturat preliminare të raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për shëndetin mendor të fëmijëve. Në tryezën e diskutimit ku u diskutua për këtë çështje, u theksua edhe nevoja për numër më të madh të psikologëve në shkolla.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se korniza ligjore nuk siguron ofrim të mbështetjes së specializuar dhe psikologjike në nivel të komunitetit.
“Ka një mungesë të mekanizmave sistematik për identifikimin e hershëm të fëmijëve që përballen me sfida të shëndetit mendor. E dyta ka të bëjë me qasjen e kufizuar në mbështetjen e specializuar psikologjike në kujdesin parësor dhe dytësor. Korniza ekzistuese ligjore nuk siguron ofrimin e mbështetjes së specializuar dhe psikologjike në nivel të komunitetit. Sfida tjetër ose e gjetura tjetër që vazhdon të dalë si rezultat i gjetjeve të hulumtimit ka të bëjë me shërbime të pamjaftueshme të shëndetit mendor për fëmijët në nivelin dytësor. Pastaj numri i ultë i profesionistëve të shëndetit mendor, përfshirë psikiatër të fëmijëve dhe psikolog klinik, si në nivelin dytësor ashtu edhe në nivelin tretësor të kujdesit”, deklaroi Qelaj.
Në diskutimin për shëndetin mendor të fëmijëve, Avokati i Popullit potencoi edhe nevojën për numër më të madh të psikologëve në shkolla.
“Stigma dhe perceptimi negativ për shërbimet në institucionet si barrierë për kërkimin e ndihmës psikologjike. Unë u interesova dhe pash që në disa hulumtime që janë kryer gati 20 për qind të fëmijëve që kanë probleme të shëndetit mendor marrin trajtim të kujdesit shëndetësor, nuk kanë një gatishmëri as tek fëmijët as tek prindërit dhe kujdestarët tjerë që të marrin një shërbim të tillë. Dhe kjo pa dyshim paraqet problem. Numri i vogël i psikologëve në shkolla që rrjedh edhe si rezultat i vet kornizës ligjore dhe përcaktimit të psikologëve në shkolla bazuar në numrin e nxënësve që shpesh herë një numër të madh të fëmijëve i len pa përfshirje të këtij kujdesi”, shtoi Avokati i Popullit.
Ndërkaq, Merita Bajraktari Januzi nga Ministria e Arsimit tha se po punohet në funksion të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.
“Ne kemi punuar viteve të fundit ngushtë në funksion të sigurimit të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve që i adreson aspektet e parandalimit të dhunës dhe të mbrojtjes e fëmijës nga rrethanat e cenueshme. Kemi mbajtur vazhdueshëm seanca në funksion të zbatimit të protokollit për parandalim dhe referim të dhunës në shkolla. Kemi zhvilluar politikën e mbrojtjes së fëmijës si dokument që duhet të zbatohet nga çdo shkollë, si një udhërrëfyes se si duhet të mbrohet fëmija në kontekst të shkollës nga gjithçka që është e cenueshme në linjë me kërkesat e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës”, u shpreh ajo për KP.
Në diskutimin për shëndetin mendor të fëmijëve, shefja e Psikiatrisë së Fëmijëve në QKUK ka kritikuar institucionet sa i përket ndarjes së buxhetit për fëmijët dhe adoleshentët.
“Çdo plan strategjik nuk parashikon buxhet për fëmijët dhe adoleshentët. Kështu që ne udhëhiqemi nga parimi të cilin e ndjek Ministria e Arsimit, po flas për Avokatin e Popullit për të promovuar këtë të drejtë, e cila e shikon buxhetimin për kokë nxënësi prandaj edhe këtu duhet të bëhet për kokë banori. Çka i bie që përfaqësimi i obligueshëm prej 0-18 vjeç në buxhet duhet të aplikohet. Jo pse dikujt i intereson për të bërë investime, vetëm të rriturit se Kosova po fillojka vetëm prej 18 vjetëve, çudi”, theksoi ajo.
Në këtë tryezë diskutimi për shëndetin mendor të fëmijëve kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Qendrat për Punë Sociale, Policia e Kosovës, e Ministria e Drejtësisë.