Gazetari investigativ nga Beogradi, Branko Çeçen, fatkeqësinë në Novi Sad ku mbeten të vdekur 14 persona ia atribuon korrupsionit të qeverisë Serbe. Sipas tij tragjedi të tilla ndodhin në Serbi për shkak të mungesës së ligjit dhe marrëveshjeve të dyshimta me Kinën.
Protestat në Serbi nuk po ndalen.
Në mbrëmjen e së martës mbi 20.000 qytetarë serbë protestuan nëpër rrugët e Novi Sadit në shenjë revolte ndaj pushtetit pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor në Novid Sad ku si pasojë vdiqën 14 persona.
Gazetari investigativ nga Beogradi, Branko Çeçen, vlerëson se korrupsioni shtetëror është shkaktari kryesor për këtë tragjedi.
Çeçen tregon se një kompani kineze e kishte konstruktuar atë pjesë të stacionit hekurudhor që u shemb.
Andaj ai shprehet kritik që shumë kontrata mes Kinës dhe Serbisë mbahen sekrete për publikun.
“Pjesa e ndërtimit të stacionit hekurudhor në Novi Sad e cila është rindërtuar dy herë gjatë viteve të fundit, ka rënë papritmas dhe ka vrarë 14 persona. Kjo ndodh kur largoheni nga sundimi i ligjit dhe lejoni që korrupsioni të zë vend, dhe sigurisht kur afroheni shumë me Kinën. Kina është investitori kryesor në Serbi por problemi kryesor është se marrëveshjet që po bëhen mes dyja vendeve nuk janë transparente. Një kompani kineze ishte kontraktuar për të ndërtuar atë pjesë të stacionit hekurudhor së bashku disa kontraktor lokal”, ka thënë ai.
Çeçen thotë se partia ne pushtet është duke bërë gjithçka për ti parandaluar protestat duke i arrestuar qytetarët e revoltuar.
Mirëpo ai thotë se qytetarët nuk do të ndalen pasi që në këto 13 vitet e fundit sa Partia Progresive Serbe ka udhëhequr me vendin ka pasur shumë skandale.
“Gjatë 13 viteve të fundit kemi parë skandale të shumta nga kjo qeveri që po udhëheq me Serbinë. Ju mund ta shihni se njerëzit janë të revoltuar, vetëm dje nëpër rrugët e Novi Sadit ishin mbi 20.000 qytetarë duke protestuar. Qytetarët shumë të zemëruar në mënyrë simbolike kanë lënë shenja me bojë të kuqe tek zyrat e partisë në pushtet, duke lënë një mesazh se ata në pushtet i kanë duart me gjak. Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës Goran Vesiq, dha dorëheqje vetëm pas presionit të publikut sepse në fillim rezistonte ta bënte këtë gjë. Megjithatë qeveria e kontrolluar nga Vuçiqi është duke arrestuar njerëz dhe duke bërë gjithçka për t’i penguar protestat e qytetarëve, mirëpo këta të fundit nuk do të ndalen”.
Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se autoritetet kompetente shtetërore po punojnë për të gjetur se kush është përgjegjës për tragjedinë.
Ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad është hapur në korrik të vitit 2024, pas tre vjetësh të rindërtimit.
Punimet për rindërtim e stacionit hekurudhor janë kryer nga një konsorcium kinez.