Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, ka deklaruar se projektligjet e miratuara për Kosovë nuk i shkelin detyrimet nga dialogu për normalizimin e raporteve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas MPJS-së, ky legjislacion ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe cilësisë së jetës për serbët në Kosovë.
Po ashtu, në reagim thuhet se, Serbia mbetet plotësisht e angazhuar në procesin e Dialogut dhe është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Legjislacioni në fjalë synon të mbrojë të drejtat dhe sigurinë sociale të popullit serb në Kosovë duke u harmonizuar me përkushtimin tonë më të gjerë për stabilitetin në rajon. Edhe në Rezolutën e OKB-së të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, me të cilën BE-ja mori rolin e lehtësuesit të Dialogut, parashikohet se dialogu duhet të synojë përmirësimin e jetës së njerëzve. Me masat e propozuara, Beogradi synon pikërisht këtë qëllim – të përmirësojë kushtet e jetesës dhe cilësinë e jetës për serbët në Kosovë. Çështja e statusit nuk duhet të ketë kurrë përparësi ndaj të drejtave të njeriut, Serbia mbetet plotësisht e angazhuar në procesin e Dialogut dhe është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.”, thuhet në postimin e MPJS-së në platformën X.
Serbia is committed to constructive and open dialogue with all our partners, including the EU, US and the UK, as well as other international partners, and values transparent and public communication in resolving sensitive issues.
The legislation in question is intended to…
— MFA Serbia (@MFASerbia) November 1, 2024
Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi një projektligj për, siç e quajti ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës, si dhe një projektligj tjetër për shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.
Këto projektligje janë kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë javës, të cilat kanë thënë se ato shkelin detyrimet e Serbisë nga dialogu me Kosovën në Bruksel.
Ndërsa të premten projektligjet janë kritikuar edhe nga Gjermania, e cila i ka bërë apel Serbisë që të rishqyrtojë ato pasi siç kanë thënë shkelin qartë detyrimet e saj të Dialogut./teve1.info/