Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kërkoi që UNMIK-u në vendin tonë të mbyllet. Por, profesori universitar, Sadri Ramabaja konsideron që këtij misioni duhet t’i kufizohen kompetencat.
Të mërkurën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u shqyrtua raporti i ri i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut në Kosovë
Në OKB, Kosovën e përfaqësoi, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Ajo gjatë së mërkurës pati edhe polemika të ashpra me homologun e saj serb, Marko Gjuriq.
Përveç se e akuzoi Serbinë se ka qëllime të qarta hegjemoniste ndaj Kosovës, ajo pati disa kritika edhe për UNMIK-un që sipas saj shërbehet me propagandë.
Andaj kryediplomatja kosovare deklaroi se ka ardhur koha që të përmbyllet ky mision në Kosovë.
“Përfaqësuesit e UNMIK-ut sot përsëri dëshmuan para gjithë botës që nuk qëndrojnë gjithmonë në anën e së vërtetës dhe jo rrallë shërbehen me propagandën që iu servohet. Ka ardhur koha të përmbyllet ky mision”, tha Gërvalla.
I të njëjtit mendim ishte edhe Ambasadori i SHBA-ve në OKB, Robert A.Wood. “SHBA-të i bëjnë thirrje Këshillit që ta rishqyrtojë mandatin e UNMIK-ut dhe të fillojë planifikimin e përfundimit të tij, ka shumë kërkesa për Këshillin e Sigurimit, siç e dimë të gjithë, dhe këto raportime duhet të reduktohen në vjetore dhe private”, tha ambasadori i SHBA-ve në OKB.
Kurse profesori universitar, Sadri Ramabaja, thotë se ka ardhur koha që UNMIK-u të ketë funksione të kufizuara në Kosovë.
“Edhe unë pajtohem me deklaratat e Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, se ka ardhur koha që të mbyllet ky mision. Për një periudhë kalimtare UNMIK-u mund të kaloj në një zyrë diplomatike të veçantë por jo më të ketë rolin që e ka pasur që të raportoj çdo gjashtë muaj për Kosovën”, tha Ramabaja.
Ramabaja konsideron se me raportin e fundit, UNMIKU-t i ka humbur tërësisht kredibiliteti. “Konsideroj se raporti i fundit i UNMIK-ut ishte shumë i njëanshëm dhe shkonte në dobi të interesave të Serbisë”, tha profesori.
Mandati i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) u themelua më 10 qershor 1999, përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Pas shpalljes së pavarësisë, UNMIK-u ka prani tejet të kufizuar në Kosovë./teve1.info/