Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, iu është drejtuar me një lutje sot krerëve shtetërorë, duke u kërkuar trajtim më të denjë ndaj tij, në raport me zhvillimet e fundit.
Ai u ka kërkuar presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, t’i frenojnë disa persona, prej të cilëve ndihet i ofenduar nga deklarata të pavërteta.
”Nuk kam ndërmend të merrem me njerëzit tuaj, por kam një lutje: Ju lutem frenoni njerëzit e juaj, ata që po më ofendojnë, sepse deklaratat e pavërteta që po bëjnë nuk po ofendojnë vetëm mua, por edhe fëmijët e mi. Nuk besoj se këta njerëz me shpifje e gënjeshtra ju bëjnë nder me këto veprime të ulëta. Unë mendoj se nuk e meritoj këtë trajtim!
Nga ana tjetër, më duket se nuk po zgjidhni asgjë me këtë qasje, dhe nëse qëllimi është të më tregoni mua diçka, mua më mjafton që unë e di kush jam. Nëse doni dëshmi për ndonjë gjë që ju intereson, unë mund t’ua sjelli ato (nëse kam njohuri), përndryshe mbetët që drejtësia të ndërmjetësojë.
Manipulimi me emrin tim nuk është as njerëzor por mund të këtë edhe efekte ligjore për njerëzit e juaj. Nuk kam qëllim t’ju edukoj ose të ndërhyj në mendësitë tuaja, por para se të më ofendoni, verifikoni vërtetësinë e fakteve”, ka shkruar ai në Facebok.
Këto reagime Pacolli i bëri lidhur me deklaratat se ai ka telefonuar kryeterroristin Millan Radoiçiq në prani të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti për të siguruar votë nga Lista Serbe.
“Nuk është shantazh apo shpikje rreth çështjes se si erdhën votat, konkretisht prezenca e deputetëve të Listës Serbe në ditën e votimit të Presidentes, Duke mos pasur mundësi ta anashkaloj pyetjen, unë thjesht gazetareve u kam treguar të vërtetën atë që ndodhi. Atë natë në zyren e Kryekuvendarës së atëhershme.
Ata që janë “hidheruar” për këtë të vërtetë, të mos harrojnë se unë nuk gënjej!”, ka shtuar tutje ai.
Pacolli insiston se ka bërë një telefonatë me ish-kryetarin e Listës Serbe, Milan Radojciqin në prezencë të Osmanit dhe Kurtit. Në këtë deklaratë të dhënë për televizionin Tëvë1, ai thotë se u peshkua deputeti Adem Hodza për t’ia mundësuar Vjosa Osmanit postin e presidentes. Këto deklarime po i mohon Qeveria e Kosovës, derisa “pa zë” për këtë çështje janë nga Zyra e Presidentes dhe deputeti Hodza.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, deputeti i VV-së, Artan Abrashi, tha se nuk beson që një telefonatë e tillë ka ndodhur.
“Ai i takon një kasti të vjetër të klasës politike. Kastë e vjetër politike, që e ka ndërmarrë çdo vendim duke u koordinuar me Radojiçiqin. Ekzistojnë fotografi të vjetra në jahtin e tij duke festuar me Radojiçiqin, i cili ia siguroi ai votat pastaj për t’u bërë president, dhe mendon se rruga drejt presidencës është nëpërmjet Radjiçiqit. Prandaj, unë nuk e fajësoj Pacollin, pasi që nuk dinë mënyrë tjetër të funksionimit”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.