Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin drejton samitin e 16-të me radhë të grupit joformal tregtar BRICS. Në këtë samit që do të zgjasë dy ditë në Kazan të Rusisë po merr pjesë edhe Serbia me zëvendëskryeministrin pro-rus, Aleksandar Vulin.
Në Kazan të Rusisë po mbahet samiti i vendeve të BRICS-it.
Presidenti rus, Vladimir Putin, priti në takim liderët e shteteve anëtare të BRICS-it, ku përfshihen mes tjerash Brazili, India, Kina dhe Afrika e Jugut.
Pashmangshëm në këtë samit po merr pjesë edhe Serbia.
Mirëpo kësaj radhe nuk udhëtoi për në Rusi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq me arsyetimin se ka sërë takimesh me zyrtarë evropianë gjatë kohës sa do të mbahet samiti i BRICS.
“Do të dërgojmë një delegacion që do të përfshijë zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vulin, ministrin e Mbrojtjes, Bratisllav Gashiç, ministren e Ekonomisë, Adrijana Mesaroviç dhe Nenad Popoviç, ministër pa portofol”, deklaroi Vuçiq.
Aleksandar Vulin asnjëherë nuk e ka fshehur lidhjen e ngushtë që ka me Rusinë. Vulin madje pati deklaruar se Serbia duhet të shoh për alternativa të tjera ekonomike përveç BE-së.
Profesori, Seb Bytyçi thotë se më këto lëvizje shteti serb po synon të ketë një qëndrim neutral në politikën e jashtme duke mos u rreshtuar tërësisht më asnjërin bllok.
Sipas tij kjo është një politike e njohur e shtetit serb.
“Kjo është një politikë tipike e Serbisë që synon njëfarë neutraliteti aktiv në politikën e jashtme. Serbia kërkon vazhdimisht aleanca të tjera dhe të mos rreshtohet me perëndimin, por vetëm t’i mbaj lidhjet e mira. Në këtë formë Serbia synon që përfitoj maksimalisht në aspektin ekonomik duke krijuar marrëdhënie me blloqe të ndryshme”, tha Bytyçi.
Bytyçi konsideron se BRICS-i po bëhet një kërcënim real për botën perëndimore sepse është në rritje numri i shteteve që po vendosin t’i bashkohen kësaj aleance.
“BRICS përbën kërcënim për botën perëndimore sepse e kemi parë bashkëpunimin e Rusisë me këto vende për ta zhvilluar luftën me Ukrainën. Kemi parë se si Kina ka eksportuar produkte të ndryshme ushtarake në Rusi. Pa këto produkte Rusia nuk do të mund ta vazhdonte luftën me Ukrainën” , tha ai.
Shtetet e BRICS-it përbëjnë 45% të popullsisë globale, ndërsa ekonomitë e tyre vlejnë më shumë se 28.5 trilionë dollarë, që ndryshe përbëjnë rreth 28% e ekonomisë globale.
Aleanca BRICS, synon t’i bashkojë shtetet më të rëndësishme në zhvillim, si alternativë ndaj forcës ekonomike dhe politike të rajoneve të pasura, siç është Amerika e Veriut apo edhe Evropa Perëndimore. /teve1.info/