Kosova po përgatitet të kalojë një transformim në menaxhimin e pronës publike dhe të drejtat pronësore, me miratimin e një ligji të ri që synon të sjellë transparencë dhe efikasitet.
Në kuadër të Komiteti ndërministror për administrimin e tokës dhe infrastrukturës kombëtare për informacionin hapësinor në Kosovë, Ardian Mehmeti nga Ministria e Drejtësisë ka thënë se fakti se vet miratimi i këtij ligji të ri si një ligj substancial është sfidë në vete për arsyeje se kërkon një angazhim të madh institucional në hartimin dhe harmonizimin e ligjeve të veçanta që rregullojnë këtë pjesë me ligjin për pronën publike tani e tutje.
Mehmeti ka shtuar se kjo do të sigurojë një transparencë dhe administrim të përgjithshëm me pronën publike në mënyrë që të promovohet ruajtja e vlerës së pronës publike dhe shfrytëzimi efikas për realizimin e qëllimeve ekonomike, infrastrukturore dhe qëllimet tjera të parapare në interes publik.
“Me përjashtim të pronës private llojet e tjera të pronës nuk janë të përkufizuara në mënyrë të qartë në Republikën e Kosovës në shumë raste shprehjet e përdorura në ligjet aktuale kanë dykuptimshmëri dhe krijojnë konfuzion dhe pasiguri juridike lidhur me autorizimet për administrimin e pronës publike dhe të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ai autorizim. Prandaj, si Ministri e Drejtësisë kemi marrë iniciativën që të hartojmë një ligj të ri, për herë të parë në Republikën e Kosovës me qëllim që të sigurojmë një përkufizim standard të pronës publike, të qartësojmë kategoritë e pronës publike, format si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me dispononim, shfrytëzimin, mbrojtjen, dhe mbikëqyrjen, menaxhimin, vlerësimin e sendeve dhe të tjera që janë në pronësi publike. Kjo do të sigurojë një transparencë dhe administrim të përgjithshëm me pronën publike në mënyrë që të promovohet ruajtja e vlerës së pronës publike dhe shfrytëzimi efikas për realizimin e qëllimeve ekonomike, infrastrukturore dhe qëllimet tjera të parapare në interes publik”, tha Mehmeti.
Në anën tjetër, Korab Ahmetaj ka realizuar një prezantim nga aktiviteti i USAID-it, Qeverisja e Pronës.
Ahmetaj ka thënë se me këtë aktivitet synohet të përmirësohet sistemi i të drejtave pronësore në përgjithësi në vend, kështu duke rritur formalizmin dhe regjistrimin e pronave në sistemin e informacioneve kadastrale të tokës në Kosovë.
“Aktiviteti i USAID, qeverisja e pronës është një aktivitet pesëvjeçar që në thelb synon të përmirësojë sistemin e të drejtave pronësore në përgjithësi në Kosovë, duke rritur formalizimin dhe regjistrimin e pronave në sistemin e informacioneve kadastrale të tokës në Kosovë, duke reduktuar korrupsionin, rritur fuqizimin e grave në të drejtat pronësore dhe mbi të gjitha si qëllim kryesor është që të avancojë zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Republikës së Kosovës. Për ta arritur këtë qëllim, parësor dhe kryesor, aktiviteti i USAID, qeverisja e pronës ka ndarë tre objektiva kryesore që ka të bëjë me rritjen e të drejtave formale apo regjistrimin e të drejtave pronësore në kadastër, duke standardizuar proceset dhe praktikat që janë në Kosovë, rritjen e angazhimit aktiv të shoqërisë civile dhe qytetarëve me institucionet kur kemi të bëjmë me te drejtat pronësore si dhe angazhimin më të madh të sektorit privat për të forcuar regjimin e te drejtave pronësore në Kosovë”, tha ai, shkruan KP.
Ndërkaq, Idriz Shala ka folur për rolin e gjeoinformacionit në REKOS 2024: Metodat Inovative dhe Standardet për të. Ai ka thënë se projekti i regjistrimit të popullsisë është një ndër projektet më të mëdha, komplekse dhe kushtueshme për një vend.
“Projekti i regjistrimit të popullsisë është një ndër projektet më të mëdha, komplekse dhe kushtueshme për një vend. Kosova e realizoj këtë projekt, i dyti me radhë pas pavarësisë së vendit… ASK ka siguruar rreth 3 mije e 500 tabletë, të gjithë kanë qenë të lidhur me internet, kartela, të dhënat janë transmetuar direkt në server pas çdo interviste, të dhënat kanë qenë të koduara, masa shtesë ka pas për çështje të sigurisë së sistemit. Cilësia e të dhënave është shumë e lartë krahasim me regjistrimin e kaluar, teknologjitë e aplikuara, sistemi i monitorimit dhe shfrytëzimi i burimeve tjera paraprake ndihmuan në cilësi…Në raport me 2011, piramida ka marrë orientim tjetër, është duke u plakur popullsia e Kosovës”, tha ai.
Komiteti ndërministror për administrimin e tokës dhe infrastrukturës kombëtare për informacionin hapësinor në Kosovë, ka mbajtur takimin e radhë në të cilën u theksua rëndësia e së drejtës së pronësisë.