Triumfi historik i Kombëtares së Shqipërisë në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë nuk ka kaluar pa pasoja për ekipin e trajnerit Sylvinho.
Shqipëria fitoi 1:0 në udhëtim te Gjeorgjia në Ligën e Kombeve, por e ka humbur sulmuesin Mirlind Daku për ndeshjen e radhës.
Në fakt, Sylvinho nuk mund të llogarit në Dakun për duelin me Çekinë, të cilin Shqipëria e luan më 16 nëntor në Tiranë.
Daku nuk do të jetë në dispozicion për këtë përballje për shkak të suspendimit.
Edhe pse u inkuadrua në minutën e 77-të ndaj Gjeorgjisë, Daku u ndëshkua me të verdhë dhe kështu plotëson numrin e dy kartonëve të verdhë, duke u detyruar të pauzoj për ndeshjen e radhës.
Duke pasur parasysh mungesën e tij ndaj Çekisë, mbetet të shihet nëse Daku do të ftohet për ndeshjen me Ukrainën, të cilën Shqipëria e luan më 19 nëntor, po ashtu në Tiranë.
Daku, i cili luan te Rubin Kazani në Rusi, ka 8 paraqitje për Kombëtaren e Shqipërisë dhe 1 gol të shënuar.