Vendosja e 50 trupave të Forcave Aleate të Reagimit në Kosovë, njësi kjo që është forcë strategjike e gatishmërisë së lartë me aftësi në shumë fusha po vlerësohet se u bë për shkak të kërcënimeve reale për cenimin e sovranitetit të vendit.
200 trupa të Forcave të reja Aleate të Reagimit janë dislokuar në Kosovë dhe në Maqedoninë Veriore të hënën e 30 shtatorit.
Në njoftimin e NATO-së thuhet se kjo është hera e parë që forca të ARF-së do të dislokohen, e ku 50 trupa të Ekipit Operacional të Ndërlidhjes dhe Zbulimit do të vendosen në Kosovë.
Koloneli në pension i FSK-së vlerëson se veprime të tilla janë të karakterit parandalues të ndonjë konflikti eventual.
“Është edhe një aspekt tjetër që lidhet me politikën. Një politikë e cila kohëve të fundit është treguar që ka nuanca të theksuara të performancës në kuptimin e destabilitetit të rajonit. Dhe automatikisht në bazë të kësaj vjen edhe deri tek humbja e besueshmërisë ndaj politikës dhe kjo është arsyeja pse edhe në Kosovë ky numër i forcave është rritur”, tha Hysen Gecaj.
Sipas tij, edhe shtimi i trupave të ushtarakëve si ajo e Britanisë së Madhe që ishte së fundmi, tregojnë për një rrezik real për cenimin e sovranitetit të Kosovës.
“Është në përputhje me këto politika që po zhvillohen në Ballkan dhe një politikë stabile eliminon nevojën për të pasë trupa shtesë sepse atëherë nuk kemi kërcënime. Mirëpo, një politikë e gabuar atëherë sjellë situata ku ti patjetër duhet të angazhohesh në kuptimin e mbrojtjes dhe sigurisë sepse politika është ajo që e ka përgatit terrenin për një konflikt eventual”, tha Gecaj.
E njohësi i çështjeve të sigurisë po vlerëson se kjo është bërë për të parandaluar influencën ruse dhe serbe në Ballkanin Perëndimor.
“Këta trupa rreth 200 sosh, 50 janë të vendosur në Republikën e Kosovës dhe 150 në Maqedoninë e Veriut. Pra kjo është indikacion që gjendja e sigurisë në territorin e Kosovës është e mirë dhe duke ju falënderuar pra edhe forcave të KFOR-it që i kemi brenda territorit të Kosovës dhe pjesa dërrmuese në Maqedoni”, tha Avni Islami.
ARF-ja është forcë strategjike e gatishmërisë së lartë me aftësi në shumë fusha e që mund të dislokohet shpejt dhe mund të ofrojë ndihmë në mbrojtje në skenare të ndryshme. /teve1.info/