Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel, ku të martën do të marrë pjesë në takimin e radhës në kuadër të dialogut me Serbinë.
Lajmi është bërë i ditur nga Qeveria e Kosovës.
“Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit. Atje, ditën e nesërme, do të marrë pjesë në takimet e radhës të parapara në kuadër të procesit të dialogut”, thuhet në komunikatë.
Ditë parë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka vizituar Kosovën dhe Serbinë me qëllim të caktimit të një takimi në nivel kryenegociatorësh.
Pas vizitës së Lajçak, mediat Serbe kishin raportuar se Kosova nuk ka qenë e gatshme për një takim trepalësh.
Por ndaj tyre ka reaguar Bislimi i cili kishte thënë se ishte Serbia ajo që nuk ishte e gatshme për takim dhe duke u përpjekur të imponojë rendin e ditës të propozuar nga Lajçak.
“Për bisedimet e ardhshme të procesit të dialogut në Bruksel të vendosura për në 17 shtator, Kosova ka pranuar një marrëveshje trepalëshe. Sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi. Fatkeqësisht, Serbia e refuzoi një marrëveshje të tillë, duke u përpjekur të imponojë pika të rendit të ditës të destinuara kryesisht për konsum të brendshëm politik”, kishte thënë Bislimi./teve1.info/