Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka pritur sot në takim homologun e saj turk, Hakan Fidan. Ky i fundit tha se problemet mes Kosovës e Serbisë mund të zgjidhen vetëm me dialog, derisa theksoi se Turqia është e gatshme të marrë përgjegjësi për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.
Të premten erdhi në Prishtinë.
E në takim u prit nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Pas takimit, Gërvalla bashkë me homologun e saj nga Turqia, Hakan Fidan dolën në një konferencë për media.
Aty kryediplomatja tha se qasja e Serbisë po e vështirëson procesin e dialogut.
“Ne e shohim Serbinë si rrezik real për stabilitetin rajonal…Sovraniteti i Kosovës nuk është i diskutueshëm, jemi të vendosur që së bashku me aleatët dhe partnerët tanë strategjik përfshirë Turqinë të vazhdojmë të ruajmë paqen në Kosovë dhe më gjerë“, ka thënë Gërvalla.
Sa i takon deklarimit të emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak se Serbia ka tërhequr letrën nga Brukseli të deponuar nga ish-kryeministrja Ana Bërnabiq, Gërvalla konsideron se bëhet fjalë për ndonjë tërheqje të pjesshme.
“Unë besoj që Lajçak fjalën e ka për një tërheqje të pjessshme të asaj letre të ish-kryeministres, Ana Bërnabiq e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, gjë që është një qasje e papranueshme për neve si Kosovë…..Ne kemi nevojë për një rishikim të procesit në tërësi, kemi nevojë që personat e ri që vijnë në Bruksel dhe marrin detyrat e reja të kenë një strategji të qartë se ku të qon procesi mes negociatave Kosovë-Serbis dhe si do të duket ky proces”, deklaroi Gërvalla.
Në anën tjetër, kryediplomati turk tha se problemet mes Kosovës e Serbisë do të zgjidhen vetëm me dialog
“Ne besojmë se problemet mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm me dialog. Ne mbështesim përpjekjet për të arritur normalizim mes dy vendeve, procesi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit është shumë i rëndësishëm në këtë aspekt. Nëse vjen një kërkesë nga palët ne si Turqi nuk do të hezitojmë të marrim përgjegjësi në këtë drejtim”, ka thënë Fidan.
Ministri Fidan, gjatë qëndrimit në Prishtinë u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.