Ekonomisti, Mustafë Kadriaj, lidhur me ligjin për rritjen e pagës minimale vlerëson se nuk ka diçka që mund të theksohet pasi që sipas tij qeveria aktuale nuk e ka ngritur aq shumë mirëqenien e qytetarit, sepse për muaj është 6.80 cent e në nivel të vitit diku 81 euro.
Kadriaj, këtë ligj më shumë e sheh si një lëvizje të qeverisë në prag të zgjedhjeve pasi që tashmë është caktuar edhe data e tyre.
“Si duket qeveria e ka nuhatur këtë sepse në sektorin privat më nuk ka pagë 250 euro dhe në fakt të gjitha pagat që janë mbi 250 euro minimum që tatohen janë 8% , nuk e di a ka pagë në sektorin privat që është nën 250 euro kështu që do të thotë se të gjitha pagat janë rritur në sektorin privat por vlerësoj edhe në sektorin publik është po e njëjta gjë, kështu që qeveria asgjë nuk ka humbur por që me këtë a mund të manipulojë do të thotë duhet ta kuptojmë qartë që edhe një subjektivitet i tyre është normale dhe tash në vitin e fundit të qeverisë dhe tashmë dihet edhe data e zgjedhjeve kështu që është normale edhe kësi lloj lëvizjesh me i bërë qeveria aktuale por që nëse flasim se sa e kanë ngritur mirëqenien, nëse flasim me muaj është 6.80 cent e nëse flasim në nivel të vitit krejt çka është rritur mirëqenia e qytetarit është 81 euro, një përllogaritje për 12 muaj, kështu që nëse flasim për një ngritje të mirëqenies kjo është ajo cfarë i ofrohet të punësuarit në Kosovë por nuk ka diçka që mund të theksohet”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në tëvë1.
Ekonomisti Kadriaj, më tej ka folur edhe për rezultatin e Listës Botërore ku Kosova doli vendi i dytë më i varfër në Evropë, nga 50 vendet më të varfra.
I pyetur se a ka faj qeveria për këtë rezultat ai tha se nëse nuk ka faj ka përgjegjësi, ashtu siç do të kishte secila qeveri që do të ishte në pushtet.
“Nëse nuk ka faj ka një përgjegjësi sepse çdo qeveri që është aktuale që qeveris në fakt i ka përgjegjësitë, por njëherëshit edhe kur ka një sukses në fakt i merr meritat kjo qeveri dhe nëse flasim për gjendjen aktuale në të cilën jemi e ka përgjegjësinë kjo qeveri”, ka theksuar Kadriaj.