Nga Administrata Tatimore e Kosovës, kanë thënë për Tëvë1, se janë plot 1 mijë e 589 biznese aktive në katër komunat veriore të Kosovës. Sipas ATK-së, në mesin e këtyre bizneseve pati të atilla që nuk i përmbushën obligimet tatimore, gjë që shtyri disa herë ta kërkojnë asistencën e Policisë së Kosovës. E nga AKP thonë se nuk kanë ndonjë statistikë të saktë se sa për qind e pronave janë të uzurpuara në veri të vendit.
Një aksion policor, bëri që gjashtë seli të të ashtuquajturës “Banka Postare e Kursimeve” të mbyllën në veriun e vendit.
Krejt kjo pasi nuk punuan sipas rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Në këtë aksion të majit të 2024-ës, u përfshinë edhe pjesëtarët e Administratës Tatimore të Kosovës.
Këta të fundit thonë se në shumicën e aksioneve të tilla në komunat veriore, kishin nevojë për asistencën policore.
Kjo pasi në mesin e 1 mijë e 589 bizneseve aktive në këto katër komuna, pati të atilla që nuk iu binden obligimeve tatimore.
Por, jo të gjitha sipas tyre vepruan në këtë formë.
“Aktivitet e Administratës Tatimore të Kosovës zhvillohen edhe në Veri, përjashtimisht disa rasteve kur kontrollat duhet të bëhen me asistencë të Policisë së Kosovës. Vlen të theksohet se njëra nga bizneset e asaj pjesë është deklaruesi me i madh në të hyrat e rajonit të Mitrovicës, patjetër që nevoja është edhe më e madhe për futjen në sistemin tatimor të të gjitha bizneseve, por vështirësitë për operim në atë pjesë janë nga të gjitha institucionet”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Nga ATK kanë bërë të ditur se 16 punonjës të komunitetit serbë punojnë në këtë administratë.
“Në ATK janë gjithsej 16 punonjës nga komuniteti serb pjesa e Veriut të Mitrovicës. Prej tyre, 8 janë inspektorë në drejtorin rajonale të ATK-së në Mitrovicë, si dhe 8 të tjerë në Departamentin e Mbledhjes së Detyrueshme në Prishtinë”, kanë bërë të ditur ATK-ja.
E vështirësi në këtë pjesë të Kosovës për mbi dy dekada, pati edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Për këtë arsye nga kjo agjenci, thonë se nuk kanë një përqindje të saktë të pronave të uzurpura në veriun e vendit.
“Duke marr parasysh që një kohë të gjatë qasja në këto komuna ka qenë e kufizuar qoftë nga aspekti i qasjes fizike apo edhe qasja në informata të komunave sepse është refuzuar bashkëpunimi, AKP nuk mund të jep përqindje siç keni kërkuar, sidoqoftë ju informojmë që në listën e uzurpatorëve të evidentuar në momentin e kësaj përgjigje, nuk kemi të evidentuar ndonjë uzurpatorë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
AKP ka sqaruar se në momentin që janë në dijeni për diçka të tillë, në koordinim me institucionet e rendit do të ndërmarin veprimet sipas autorizimeve që kanë për pronat shoqërore.