Një shtetas kosovar ka shkaktuar aksident të rëndë trafiku, të enjten në Kroaci, ku ka humbur jetën një person ndërsa gjashtë të tjerë janë lënduar.
Sipas medias kroate “Index”, aksidenti ka ndodhur kur 40 vjeçari i cili ishte me veturën me tabela sllovene doli në korsinë e kundërt dhe përplasi veturën tjetër me targa kroate.
“DJE rreth orës 05:50 në qytetin Soline në jug të Kroacisë ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku ku një person ka humbur jetën dhe gjashtë janë lënduar. Pesë persona kanë pësuar lëndime të rënda fizike, ndërsa një është lënduar lehtë.Aksidenti është shkaktuar nga një shtetas i Kosovës 40-vjeçar i cili drejtonte automjetin personal me targa sllovene. Ai ka qenë duke lëvizur nga lindja në perëndim dhe në një moment me mjetin e tij ka kaluar në korsinë e kundërt dhe ka përplasur pjesën e përparme të majtë të mjetit të pasagjerëve me targa kroate, i cili drejtohej nga një shtetas kroat 45 vjeç”.
Pasagjerët e veturës kroate një grua dhe një burrë ,të dy shtetas të Polonisë të cilët kanë lëndime serioze, por janë jashtë rrezikut për jetë, po trajohen në Spitalin e Përgjithshëm të Dubrovnikut.
Aty ndodhen edhe shoferi kosovar për shkak se ka pësuar lëndime të rënda, si dhe dy pasagjerët e veturës së tij një grua 42 vjeçe dhe një 11-vjeçar të cilët po ashtu kanë pësuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën.
Ndërsa, nga spitali është liruar një 18 vjeçar i cili ishte me lëndime të lehta.
“Shoferi 45-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa pasagjerët e atij mjeti, një grua 45-vjeçare dhe një 48-vjeçar, të dy shtetas të Polonisë, kanë pësuar lëndime të rënda fizike, por janë jashtë rrezikut për jetën. Pasagjerët e lënduar janë mbajtur për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Dubrovnikut pas ndihmës së dhënë. Në spitalin e lartpërmendur është ndaluar një shtetas i Kosovës 40-vjeçar për shkak të lëndimeve të rënda. Lëndime kanë pësuar edhe pasagjerët në veturën e tij, po ashtu shtetas të Kosovës. Një grua 42-vjeçare dhe një fëmijë 11-vjeçar kanë marrë plagë të rënda në rrezik për jetën, ndërsa një 18-vjeçar është plagosur lehtë dhe tashmë është liruar në shtëpi. Menjëherë pas lirimit nga spitali të shoferit 40-vjeçar, policia e Dubrovnikut do të nisë hetimin penal nën dyshimin e kryerjes së veprës penale të shkaktimit të një aksidenti trafiku në komunikacionin rrugor”, raporton “Index”. /teve1.info/