“Punimet e ndërtimit të urës do të kryhen duke hyrë në kantier përmes rrugës hyrëse jugore. Ura do të hapet për të gjithë trafikun më 20 janar 2017“.
Kështu u deklarua Bashkimi Evropian në vitin 2017 pas publikimit të raportit për
Zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës.
Mirëpo, ura vazhdon të jetë e mbyllur.
Derisa Bashkimi Evropian, ka kërkuar që çështja e urës të diskutohet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Por, ish diplomatit, Sylë Ukshini, kjo kërkesë e bllokut nuk po i duket si e udhës.
“Bashkimi Evropian mua më çuditë, kur ka për të përmbushur kërkesat Vuciqit, një shtetit tjetër, thotë negociojmë do ta pyesja Bashkimin Evropian, me cfarë marrëveshje njohu pasaportat e strukturave ilegale jo paralele, ilegale, të një shteti tjetër, u bë me marrëveshje, ajo cfarë më duket mua është se ka hyrë në kufirin e kuq me të cilën unë kam përshtypjen se nuk do të pajtohet askush”, është shprehur Ukshini.
Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, në këtë rast Kosova po e paguan një çmim të padrejtë.
“ Për mua nëse del KFOR-i dhe vendos vijën mbi ujin e lumbardhit në Mitrovicë unë mendoj se ajo është një ndarje defacto që pret të implementohet të kompletohet në kuptimin legjislativ juridik edhe me asociacionin, në diplomaci ata që nuk janë konsistent ata që janë naiv, paguajnë, Kosova po e paguan një çmim të padrejtë”, thotë ai.
Edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi të mërkurën tha se vendimi për hapjen e urës nuk është i njëanshëm.
Bislimi shkruan se një partner i QUINT-it kishte shtuar kërkesën që të ketë inspektime teknike. E pas realizimit të dy kërkesave shtesë, Bislimi thotë se BE-ja tash po kërcënon me masa ndaj Kosovës nëse e hap urën për qarkullim të veturave.
“Në vizitën e tij të fundit në Kosovë më 19 qershor, kur kemi biseduar për urën e Mitrovicës, Lajçak tha se nëse Kosova nuk preferon të diskutojë përsëri për këtë çështje në Bruksel, ai rekomandon diskutime të brendshme me serbët vendas në veri për implikimet potenciale në siguri dhe shqetësimet e tyre. Një partner i QUINT-it shtoi kërkesën për inspektim teknik. Ne kemi ndjekur dy rekomandimet. Tani BE-ja po e kërcënon Kosovën në rast se ajo zbaton marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe rekomandimet shtesë”, u shpreh Bislimi.
Edhe politologu, Fidan Ukaj nuk e sheh të arsyshëm diskutimin e urës në dialog.
“Vetëm një raport i vitit 2023 flet për mundësinë e zhvendosjes në procesin dialogues të mundësisë së hapjes së urës. Një gjë e tillë tani po përsëritet e që mendoj se do të ishte një gabim i madh që institucionet e Kosovës lejojnë zhvendosjen e procesit të hapjes së urës sepse pastaj do të rrjedhin edhe propozime e që propozimet nga ana e Serbisë do të ishin vetëm për mos hapjen e urës për rrjedhojë, ura nuk do të hapej asnjëherë”, tha Ukaj.
Se kjo temë nuk duhet të diskutohet me Serbinë, qëndrim të njejtë mbanë dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani Sadriu.
Gjatë së mërkurës , kundër hapjes së urës ka dalë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka bërë thirrje të shmangen vendimet e njëanshme.