Kishte masë të ndalimit për t’iu afruar fizikisht gruas së tij.
Por kjo nuk e ndaloi aspak 73 vjeçarin që mëngjesin e së martës ta qëllonte gruan me të cilën bashkëjetonte.
Ai me datën 2 gusht ishte arrestuar për dhunë në familje, por pas 48 orësh nuk i ishte caktuar masa e paraburgimit për shkak të gjendjes shëndetësore.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se kjo masë nuk ishte e duhura për t’u shqiptuar.
Në lidhje me plagosjen e 42 vjeçares ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Nga KLMDNJ e kanë quajtur dështim institucional këtë rast, ndërsa kanë kërkuar që institucionet në vend të merren me parandalimin e këtyre rasteve.
“Hallkat e para të adresës janë qendrat sociale, sepse realisht në ato drejtohen palët, problemet bashkëshorte, këto qendra duhet të riorganizohen në aspektin e profesional në mënyrë që ta luajnë rolin për çka e kanë. Kur ndodhin pasojat është vonë, nëse nuk investon në mekanizma të cilët merren edhe me ngritjen e vetëdijes edhe me zgjidhjen e problemit sepse në fazën e hershme nëse ka ndonjë problem ndërmjet burrit dhe gruas ndonjë ndërmjetësim mund të ndihmojë që diçka mos të ndodh”, ka thënë Behxhet Shala.
Aktualisht viktima është ende duke u trajtuar në QKUK dhe është jashtë rrezikut për jetë.
“Në shërbimin e kujdestarisë të Kirurgjisë Torakale kemi pranuar një pacient me lëndime me armë të zjarrit. Në momentin e pranimit ne e kemi bërë menjëherë intervenimin kirurgjik në anën e majtë të gjoksit e kemi vendosur e kemi vendosur një drenazhë torakale për shkak të hematodorasit por pacienti ka edhe lëndime tjera. Përveç në gjoks, ka edhe në kokë që është një lëndim sipërfaqësor. Ka edhe një lëndim në krahun e majtë dhe lëndimi më i rëndë është në anën e gjoksit. Po, gjendja tani është stabile, bazuar në përvojën tonë që kemi pasur me pacientë në të kaluarën, kjo paciente është jashtë rrezikut për jetë, por presim ditëve në vijim. Të paktën një javë do të trajtohet tek ne”, tha Nazim Kolgeci, drejtor në Klinikën e Kirurgjisë Torakale.
Me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, 73-vjeçarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Përveç tij, për plagosjen në Bresje të Fushë Kosovës, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person tjetër nën dyshimin se ka marrë armën e cila është përdorur, për ta larguar nga vendi i ngjarjes.