As dita e hënë nuk i gjeti në nëntokë.
Minatorët e minierës së Stan Tërgut që 19 ditë kanë bojkotuar punën.
Pasi edhe pse është fundi i muajit korrik, ata ende nuk janë paguar për muajin qershor.
Kjo gjendja e ka vështirësuar jetesën e këtyre minatorëve.
“Gjendja është tejet shqetësuese dhe alarmuese për arsye se minatorët kanë më shumë se 59 ditë që nuk kanë marrë pagë dhe kushtet e planifikimi familjar veç është vështirësuar”, tha anëtari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Fevzi Ademi.
Madje nga sindikata e minatorëve thonë se nga menaxhmenti nuk kanë marrë ndonjë premtim konkret se kur do të bëhet ekzekutimi i pagesës.
“Te premten e kaluar menaxhmenti, kryeshefi me zëvendësin e tij ka qenë pas orës 16;00 duke iu drejtuar minatorëve se e kemi dorëzuar një plan në Qeveri për subvencionim, të pagave çështjeve tjera, mirëpo jemi në pritje por nuk kanë mundur të thonë që me ketë datë do të dalin pagat, por vetëm premtime boshe dhe jo konkrete për minatorët”, tha Ademi.
Nga menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” kanë thënë se e gjithë kjo po ndodhë për shkak të krizës financiare derisa kanë bërë të ditur se janë në kontakte me Qeverinë e Kosovës.
“Punëtorët e minierës së Stan Tërgut ende nuk e kanë marrë pagën e muajit qershor për shkak të problemeve financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Kjo vjen si rezultat i borxheve të akumuluara ndër vite dhe problemeve financiare të trashëguara nga e kaluara.Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça Sh.A së bashku me menaxhmentin janë në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë për ta zgjidhur çështjen në fjalë. Jemi duke e trajtuar me seriozitet dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë”, tha zyrtarja për komunikim me publikun, Donika Osmani-Mehmeti.
Televizioni ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga deputetet e Vetëvendosjes, Armend Muja, Halil Thaçi dhe Arjeta Fejza, të cilët muaj më parë ishin në takim me minatorët e madje kishin arritur marrëveshjen që pagat do të ekzekutoheshin me kohë, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.