Ende pa u bërë një javë, nga burgjet e Kosovës u arratis edhe një i burgosur tjetër.
Përveç Faton Hajrizit që iku nga Qendra e Smrekonicës të shtunën e kaluar, këtë të premtë, nga Burgu i Dubravës u arratis Ujkan Metaj.
E që nga viti 2007, numri i të dënuarve që janë arratisur ose nuk janë kthyer pasi kanë shfrytëzuar të drejtën e vikendit jashtë është 56.
E krejt këto ikje, sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu kanë ndodhur shkak i masave jo të larta të sigurisë në Institucionet korrektuese, të cilat janë të tipit të hapur.
Andaj edhe u paralajmërua se arratisje të tjera mund të ketë edhe në vazhdimësi.
“Largime nga njësitë e qendrave korrektuese të tipit të hapur ka pasur edhe në të kaluarën dhe mund të ketë edhe në vazhdimësi, sepse këto institucione nuk i nënshtrohen kontrollit dhe masave të larta të sigurisë, për shkak se qëllimi i tyre është realizim i programeve avancuese ndaj të burgosurve që i nënshtrohen rehabilitimit dhe ri integrimit të tyre në shoqëri”, tha Sallahu.
E për të menaxhuar situatën pas dy arratisjeve të fundit, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani tha se janë në koordinim me institucionet e sigurisë.
Ai ka shprehur keqardhje me rastet që kanë ndodhur, teksa deklaroi se të arratisurit nga burgu i tipit të hapur kanë gëzuar të drejtën e vikendit, sipas asaj që ua garanton ligji.
“Për secilin rast të largimit të mos kthimit iniciohet kallëzim penal. Ne nuk e kemi në qëllim ndëshkimin e personave që vinë në institucionet tona, qëllimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës është rehabilitimi i një socializmi të personave dhe kthimi i tyre si persona të dobishëm në shoqëri, por nëse bien ndesh me rregullat dhe ligjet tona, ata do ti humbin privilegjet të cilau iu mundëson ligji. Po ashtu shumë shpejt do ta keni listën e personave të cilat nuk janë kthyer”, tha drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Bibrani.
Ujkan Metaj, i cili u arratis ditën e premte, ishte dënuar me 11 vjet burgim, pasi kishte ndihmuar grabitjen e një banke në Istog, ku si pasojë mbeti i vrarë polici Izet Demaj si dhe grabitësi i bankës.