Deri para disa ditësh dënimin po e vuante në këtë Qendër Korrektuese. Por nga e shtuna e gjashtë korrikut, Faton Hajrizi u arratis nga Smrekonica.
I dënuari për vrasjen e ushtarit rus, që nga mosha 15 – vjeçare një veprim të tillë e bëri shumë herë.
Madje edhe nga burgjet me siguri më të lartë se ky.
E se siguria në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë është e nivelit të ultë e thotë edhe Ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj qendre, Avni Miftari. E për këtë ai jep disa arsye.
“Vetë natyra e punës apo e tipit apo llojit të institucionit korrektues lë të nënkuptoj sepse siguria në këtë institucion është siguri minimale ku falë tipit apo institucionit korrektues siç është tip i hapur kemi siguri të ulët ku lë të nënkuptoj si nga ana fizike apo materiale. Si nga ana e stafit korrektues sepse kemi një staf më të ulët sepse vet tipi i institucionit korrektues është i atij lloji ku nuk ka pengesa, nuk ka mure dhe për atë arsye nga ky tip mundet siç është rasti i fundit”, thotë ai.
Pavarësisht që ishte në katin e dytë të këtij pavioni, Hajrizi arriti që pas mesnatës të largohet nga ky institucion. E për këtë edhe janë marrë masat. Megjithatë e pranon se largime të burgosurve nga këtu ka pasur edhe më herët.
“Ka pas, ka pas largime sepse vet institucioni është i atij lloji ku secili i burgosur ka edhe përgjegjësi personale gjatë qëndrimit në këtë qendër korrektuese, sepse ju ishit dëshmitar vet dhe ju e patë se si është i organizuar apo ndërtuar kjo qendër me një hapësire e cila pothuajse nga këndvështrimi apo nga shikimi nuk mund të quhet burg, ky është institucion i fundit i cili i burgosuri e kalon deri para lirimit”, tha Miftari.
E për këto arsye, ikjen e Faton Hajrizit, nuk e quan arratisje, por vetëm largim.
“Sa i përket asaj që ju thatë nuk mund të themi arratisje por largim sepse tash ju vetëm sa patë zonat në të cilat secili i burgosur punon për vend-punime të ndryshme dhe një mundësi të tillë e kanë fare të lehtë dhe ndryshon nga qendrat korrektuese të tjera, sepse qendrat korrektuese të tjera Dubrava mundem me thanë brenda mureve mundet me qenë arratisje apo ikje mirëpo tek këtu është një largim i cili ka ndodhë kështu që nuk kemi diçka çfarë me shtu, ndërsa sa i përket të dënuarve të tjerë të cilët punojnë”, thotë ai.
Pavarësisht nivelit të ultë të sigurisë, në këtë burg e vuajnë dënimin persona me vepra penale të dënuar deri në 10 vite.
“Çdo person i cili qëndron këtu është me vite me plot përputhshmërinë me ligjet dhe rregulloret e aplikueshme të Shërbimit Korrektues. Nuk është ajo tri vite, nuk qëndron është dënimi më i gjatë, tash i kemi deri në 10 vite apo mbetje e dënimit deri në 10 vite. Kështu që kemi një numër me dënime të larta mirëpo të njëjtit janë të kyçur në punësim jashtë institucionit, janë shfrytëzues të vikendeve, qëndrueshmëria e tyre është e mirë, sjelljet e tyre janë të mira”, tha Miftari.
Nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë kanë bërë të ditur se Hajrizi ka qenë shfrytëzues edhe i vikendeve në shtëpi.
Para ardhjes në Smrekonicë i njëjti ka shfrytëzuar katër periudha të pushimit me gjithsej shtatë ditë në familje dhe dy të tjera në Smrekonicë, njërën si vikend të rregullt dhe tjetrin si vikend humanitar për shkak të prindit të sëmurë.