Uniformat i kanë të ngjashme, ashtu sikurse synimin.
Të koordinuar, takimin e parë e realizojnë në hyrje të Kukësit.
Gjithçka fillon sipas planit operativ të cilën e kanë të qartë, zyrtarët policorë të departamentit rrugor në kuadër të Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, të cilët kanë nisur patrullimet e përbashkëta.
“Kemi qenë në pikë kontrolli me radarë elektronik në kilometrin 19, deri sa kemi marrë thirrjen me ardhë këtu, gjithçka ka qenë në rregull”, tha polici i Kosovës.
E pas takimit koordinues, makinat policore ishin gati për nisje.
Të bashkuar ata u nisen në rrugën e Kombit.
E ndalesën e parë e bëjnë në kilometrin 77.
Detyrat, siç i përcakton edhe marrëveshja, janë të ngjashme.
Paraprakisht polici rrugor nga Shqipëria fillon ndalesën e parë.
Për të informuar turistët kosovarë për këtë patrullim të përbashkët, njashtu vepron edhe Policia e Kosovës.
E këtë bashkëpunim po e vlerësojnë të duhur qytetarët kosovarë.
“Super të mirë, na vëllezër jemi, po po gjithqysh normal me pas më shumë stacione, më shumë ndalesa pse jo”, tha një qytetar.
“Shumë me vend, duhet me pas më shumë bashkëpunim, më shumë kontroll, por ky bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës është shumë me vend. Momentin që ka kontroll, deri sa ta kuptojnë populli që ka kontroll do të ruhen më shumë”, tha një tjetër qytetar për Tëvë1.
Sipas kryekomisarit shqiptar, ky bashkëpunim ka vetëm një qëllim.
“Të dyja policitë, si ajo rrugore e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, përveç shërbimeve që lidhen me parandalimin dhe me rritjen e sigurisë, në rrugët dhe intenerarët që zgjedhin turistët jo vetëm ata që vijnë nga Kosova por edhe të tjerë të shteteve të ndryshme, kanë shkëmbyer eksperienca pozitive, praktikat policore do të thosha të ndryshme me qëllim, harmonizimin dhe në fund, efikasitetin e këtij shërbimi vetëm për qëllimin e rritjes së sigurisë rrugore”, tha Taulant Gjoka nga Drejtoria e Policisë Rrugore e Shqipërisë.
Se gjithçka po shkon sipas dakordimit, e thotë edhe Mehmet Latifi nga Policia e Kosovës.
“Bashkëpunimi shumë i mirë, mirëpo gjithçka është duke shkuar në mënyrë të rregullt, si me komunikacion si me qarkullimin e automjeteve. Edhe qytetarët kur po na shohin neve që jemi në rrugë, po e ndjejnë një lehtësi pak më të bukur dhe më të mirë sepse po e shohin policinë e vet edhe po e ndjejnë vetën si me qenë në Kosovë”, tha Latifi.
Me rotacion të ndezur, patrullimi i përbashkët vazhdon edhe më tutje brenda tunelit Kalimash.
Shkak i këtij bashkëpunimi, vlerësohet se ka rënie të aksidenteve.
“Sigurisht policia rrugore, duke evidentuar këto raste ka ndërmarrë masa ekstreme në kuptimin pozitiv, të monitorimit me radarë, por edhe me kamera. Dhe kjo ka ndikuar në uljen e kësaj tendence, dhe sigurisht e përdori këtë mundësi, për të apeluar për të gjithë përdoruesit e rrugës qofshin ata nga Kosova apo edhe nga Shqipëria që të jenë të kujdesshëm me rregullat e qarkullimit rrugor, në veçanti zonat me rrisk të lartë siç janë tunelet”, tha specialisti i sigurisë rrugore – Taulant Gjoka.
Monitorimi bëhet edhe nga lartë, për t’u kujdesur që gjithçka të shkojë sipas planit.
Patrullimet e përbashkëta policore Kosovë – Shqipëri nisin çdo vit në sezonin veror.
Përmbyllja e aktivitetit ditor, nuk bëhet ndryshe, veçse me një përqafim vëllazëror.