Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës do të diskutohen rreth 35 pika, pika këto mbetura që disa muaj.
Në konferencë për media me gazetarë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Zemaj tha se situata aktuale është e pafavorshme për të zhvilluar seancë të rregullt kuvendore, pasi sipas tij, Qeveria e ka humbur legjitimitetin dhe kryeministri Kurti është dorëzuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Ai tha se me qasjen aktuale të pushtetit, vendi po rrezikohet nga tendenca e autokracisë duke vendosur struktura personale në insititucione të pavarura siç janë Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media.
Zemaj shtoi se kjo mendësi do të kundërshtohet në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
“Kjo logjika nga fillimi që Kuvendi ta zbehë rolin e vet kushtetues që e ka ose më mirë të themi përfaqësues është tregues i qartë që ne kemi thirrje të një seance, më shumë se 35 pika të grumbulluara, disa të mbetura me muaj të gjatë si procedurë dhe me një ambient ku kushtet e punës në këtë situatë janë të pafavorshme për të zhvilluar një seancë të rregullt kuvendore”, tha ai.
Ndërkaq, duke folur për takimin së mërkurës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, deputeti opozitar tha se i gjithë procesi i dialogut Kosovë-Serbi është përcjellur me mostransparencë.
Ai tha se mungesa e raportimit të Kurtit para deputetëve në lidhje me dialogun, është tregues i shqetësimeve të tyre.
Në fund, Zemaj i bëri thirrje Qeverisë që të jetë e përgjegjshme në hapat e ardhshme të dialogut sa i përket marrëveshjeve të arritura dhe të përkrahura nga aleatët e vendit.
“Ka vend për shqetësim sepse gjithë ky proces i përcjellur me mostransparencë dhe ikje nga përgjegjësia para të zgjedhurve të popullit ku ekziston një rezolutë në fuqi që Qeveria duhet të raportojë para dhe pas çdo raundi të bisedimeve është tregues i qartë në atë që kemi pas vëretje në vazhdimësi. Vet vizita e heshtur ose tentimi që të heshtet vizita e Lajçakut është prodhim i takimit Kurti-Vuçiq, ku i bëjmë thirrje qeverisë që të jetë e përgjegjshme në atë që do të bëj tutje më marrëveshjet e përkrahura nga partnerët ndërkombëtar”, tha Zemaj.