Për nderë të 12 qershorit, 25 vjetorit të Çlirimit të Republikës së Kosovës, deputet të parlamentit të Kosovës dhe ambasadorë të vendeve mike, morën pjesë në seancën solemne.
Presidentja e vendit Vjosa Osmani tha se çlirimi i Kosovës më 1999, nuk ishte thjeshtë fitore, por kapitullim i Serbisë së Millosheviqit.
“ Është e ardhmja që aspiruam dhe për të cilën luftuan e dhanë jetën Çlirimtarët tanë. Çlirimi i Kosovës në vitin 99 nuk nuk ishte thjeshtë një fitore ushtarake, dhe një kapitullim i Serbisë. Millosheviqiane, ishte mbi të gjitha triumf i shpirtit njerëzor, mbi tiraninë, ishte triumf i të mirës ndaj të keqës dhe triumf i drejtësisë mbi shtypjen”, tha Osmani.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se do të kujtohet kjo datë gjithmonë si fitore ndaj drejtësisë nga padrejtësia.
“ Ne kujtojmë dhe do të kujtojmë gjithmonë sepse duam që padrejtësia dhe pushtimi të mos përsëritën kurrë më. 12 qershorin do ta festojmë përherë si ngadhënjim mbi të keqën si ditë të fitores së drejtësisë mbi padrejtësinë, lirisë mbi robërinë të çlirimit mbi shtypjen dhe të humanizmit mbi fashizmin”, tha kryeparalmentari.
E kryeministri, Albin Kurti, ripërsëriti synimin të cilin e ka Kosova, anëtarësimin në aleancën Veriatlantike, NATO-n.
“ Ashtu sikur atëherë, edhe sot, Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu sikur Rusia qëndron pas shumë veprimeve të Serbisë. Kurse shteti ynë Kosova, dhe populli i saj, bashkë me Shqipërinë, në vazhdimësi ka shkuar duke i forcuar, lidhjet dhe aleancën e saj, me ShBA-të, me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, dhe Turqinë, me Francën dhe Italinë, dhe me vendet e tjera partnere perëndimore. Bashkimi Evropian është familja jonë politike, kurse NATO synimi ynë ushtarak” , u shpreh Kurti.
Por, ajo që e pa tmerrin me sy, dhe u ballafaqua me shtetin i cili kreu krimet në Kosovë, Serbinë, nuk iu bëri ballë lotëve në këtë përvjetor jubilar të çerek shekullit.
“ Para 25 vitesh isha një vajzë e brishtë, gjysmë e gjallë me zemër të thyer, se nuk e kisha pjesën më të madhe të familjes. Por sot para jush, ndihem e privilegjuar e shumë krenare që mund t’i shërbej popullit dhe vendit tonë” , tha deputetja Saranda Bogujevci.
Në anën tjetër, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kujtoi kontributdhënësit e Lirisë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot është dita të kujtojmë të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që i falën Kosovës së lirë dhe të pavarur jetën, ata që amanetin e luftëtarëve ua transmetuan brezave të ri, liria nuk është dhuratë ajo duhet të mbrohet” , u shpreh Begaj.
Pjesë e këtij organizimi ishte Rifat Jashari, vëllai i heroit dhe komandantit legjendar, Adem Jasharit.