Rruga nga kjo shtëpi, është nën monitorim 24 orë.
E kamera të tilla ka pothuajse në çdo lagje të Kosovës.
Përveç ndërtesave të banimit, edhe bizneset e pronat private kanë instaluar kamera të vëzhgimit.
Ndonëse parashihet me ligj që të ketë shenja njoftuese për kamera, në shumicën prej tyre të tilla shenja nuk ka.
Sipas ligjit, pamjet e marra nga vëzhgimi me kamerë nuk duhet të kalojnë perimetrin e pronës private. Madje, për instalimin e sistemeve të vëzhgimit me kamerë në objekte banesore, paraprakisht duhet pajtimi me shkrimin e së paku shtatëdhjetë për qind të banorëve.
Raste të cenimit të privatësisë po ndodhin në Kosovë.
“Ka pasë qitë djali jem kojshisë anej e t’i thirrën policinë erdhën, mezi i ka ulë, bon me hjek po s’bon as me hjek”
E vendosja e tyre nga ana e rrugës po i pengon qytetarët.
“E pengojnë sepse vet fakti i vendosjes së kamerave në rrugë e cila është pjesë e kalimtarëve e qytetarëve e kufizon dhe e cenon jetën private të qytetarëve të vendit”.
Duhet me u respektu privatësia. Para shtëpisë time nuk lejoj në qoftë se edhe Biden jep urdhër aty”
E në Agjencinë për Informim dhe Privatësi janë drejtuar pak ankesa për shkelje të privatësisë.
“Ne kemi pasë diku gjashtë ankesa gjatë tërë mandatit tonë, dmth gjatë këtyre tri viteve, ku qytetarët na janë drejtuar nën dyshimin se komshiu është duke e marrë pamje përmes kamerave në oborrin apo shtëpinë e tij apo saj”, ka thënë Krenare Dermaku, komisioneve.
Ndërsa vendosja e kamerave në shtëpi private dallon prej atyre të bizneseve.
“Te çështja e vendosjes së kamerave në shtëpi private është gjithçka që ato të vendosen brenda perimetrit ku shtrihet pronësia e qytetarit, ndërsa te bizneset përveç perimetrit që duhet të jenë pamjet vetëm brenda perimetrit ku shtrihet pronësia e pronarit të lokalit, janë me patjetër shenjat paralajmëruese, duhet të jetë me patjetër vendimi të cilin e nxjerr pronari i objektit apo lokalit”, ka sqaruar Dermaku.
E shkelja e privatësisë nga vendosja e kamerave nga ana e rrugës, sipas ekspertëve të sigurisë është sfidë jo vetëm për Agjencinë për Informim dhe Privatësi por edhe për qytetarët.
“Padyshim se ajo cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë integritetin personal dhe sigurinë private të çdo qytetari. Me qenë se qytetarët deri më tani nuk janë të njohur mundësitë e aplikimit të kërkesave të tyre në drejtim të këtij agjencioni por njëkohësisht duke ngritur edhe kallëzime penale në drejtim të personave apo individëve apo institucioneve që kamerat i kanë në drejtim të rrugëve ku ata mund të filmohen pa dashjen e tyre,padyshim kjo është një fushë dhe një sfidë për këtë agjencion në fjalë por njëkohësisht edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë njohësi i sigurisë, Drizan Shala.
Sipas ligjit, pamjet e regjistruara nga sistemi i vëzhgimit duhen mbrojtur nga qasja apo/dhe përdorimi i paautorizuar dhe të njëjtat nuk ruhen më gjatë se një (1) muaj (përveç nëse kërkohet për qëllime legjitime).