Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se roli i tyre në dialogun Kosovë-Serbi është që ta lehtësojnë atë dhe t’u ndihmojnë palëve të sillen si evropianë.
Por, ai la fajtorë Kosovën dhe Serbinë për dështimin e dialogut.
“Fakti që nuk ishin në gjendje ta bënin këtë deri tani dhe të lëvizin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të pretenduar të BE-së si lehtësuese, por është për shkak të dështimit të tyre që të mbajnë fjalën. Do të mbërrijmë aty, përtej mandatit të një emisari special”, tha ai.
Stano në deklaratën për media tha se rezultatet e deritanishme nuk mund të paraqiten si dështim i emisarit Miroslav Lajçak, pasi siç tha, ai ka bërë më të mirën si përfaqësues i lartë i BE-së, me mbështetjen e 27 vendeve anëtare.
“I dërguari special ishte një instrument i ri dhe specifik gjatë mandatit të këtyre institucioneve. Në të kaluarën nuk ka pasur. Përfaqësuesja e lartë e ka bërë këtë punë vetë, në dy mandatet e kaluara, por kjo ishte një shenjë se sa shumë vëmendje po i kushtonim kësaj çështjeje dhe se sa shumë donim të ndihmojmë, duke caktuar, me vullnetin e 27 shteteve anëtare, një person që specifikisht po merrej me ndihmën e Serbisë e Kosovës që të lëvizin përpara, në baza ditore. Kështu që nuk është e vërtetë që mund të paraqiten rezultatet e deritashme si dështim i zotit Lajçak. Ai ka bërë më të mirën në emër të përfaqësuesit të lartë dhe BE-së, me mbështetjen e plotë të 27 vendeve të BE-së”, tha Stano.
Sipas tij, nuk është korrekte të thuhet se ka dështim për faktin se palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjet e Ohrit, pasi siç tha ai kjo marrëveshje është ligjërisht e obligueshme.
Stano tha se nëse nuk bëhen hapa drejt implementimit të saj, Serbia e Kosova i bëjnë dëm vetes, dhe se qytetarëve e vendeve të tyre nuk mund t’i gëzojnë përfitimet.
“Nuk është faktikisht korrekte të thuhet se ishte dështim, për faktin se dy palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit. Me dhjetëra herë kemi sqaruar se nuk ka pasur pikëpyetje për nënshkrimin. Kjo marrëveshje është ligjërisht obligative, dhe nuk ka sqarim më të mirë të faktit se është ligjërisht obligative, pasi që është bërë pjesë integrale e rrugës drejtë anëtarësimit si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Kështu që nuk bëjnë hapa drejt implementimit, ata i bëjnë dëm vetes, të ardhmen evropiane dhe përfitimet që qytetarët e tyre do të mund t’i gëzonin”, tha ai.