Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, thotë se dalja e ulët e qytetarëve për të votuar në një proces që është nisur nga Lista Serbe e dëshmon që ndaj kësaj partie i ka rënë besimi dhe autoriteti.
Vokrri tha se shumica e qytetarëve në katër komunat veriore nuk duan t’i përgjigjen Listës Serbe, madje sipas tij kjo e fundit sot ka tentuar të bëj një manovër në veri, por i ka dështuar sepse asnjë qytetar nuk ka rënë pre e saj.
“Shumica e qytetarëve nuk duan t’i përgjigjen Listës Serbe. Lista Serbe sot ka tentuar ta bëj një manovër, duke i ftuar familjet në të gjithë veriun që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla për t’i zhvilluar disa aktivitete duke filluar me pastrimin e oborreve, ka siguruar edhe logjistikën e nevojshme për një të tillë, autobusë e kështu me radhë dhe të gjitha këto automjete kanë mbetur të zbrazura, pra asnjë familje e vetme në veri nuk iu është përgjigjur thirrjeve të Listës Serbe për t’i nxjerrë fëmijët në shkolla. Dalja kaq e ulët e qytetarëve në një proces të nisur nga Lista Serbe e dëshmon që Lista Serbe e ka humbur pothuajse gjithë autoritetin që e ka pasur te këta qytetarë”, tha ai në Edicionin Special në Tëvë1.
Ai tha se në pjesën e parë të procesit të votimit nuk është raportuar asnjë problem, i cili ka mundur të pengojë procesin.
“Deri më tani nuk kam parë ose dëgjuar për ndonjë problem, deri tash ishte një vërejtje e vogël në njërën nga vend-votimet, ku më thanë se zyrtarët e pranishëm nuk e flasin dhe s’e kuptojnë mirë gjuhën serbe. Përndryshe, ndonjë vërejtje deri më tash nuk kam pasur. Ajo që hetohet është se ka një interesim paksa më të shtuar për të dalë në vend-votime në këto orë nga ana e qytetarëve serb, ku kështu nuk ishte në orët e para të hapjes së qendrave të votimit”, tha Vokrri.
Zëvendësministri i Pushtetit Lokal nuk pret që të ketë dalje masive të qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës.
“Dalja ka qenë përgjithësisht e ulët. Mendoj se do të ketë edhe më tej qytetarë për të dalë për të votuar, por nuk kanë ndonjë arsye ose interesim për t’u bërë pjesë e procesit që është paraparë për shkarkim. Nuk pres ndonjë dalje masive edhe pse të gjitha kushtet janë aty”, shtoi ai./teve1.info/