Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare AVONET ka akuzuar Komunën e Prishtinës për vendosjen e kritereve diskriminuese në aktivitetin e prokurimit të projektit për ndërtimin e rrugës Nekibe Kelmendi, Faza III (referuar si Prokurimi 616-24-1921-5-1-1). Këto kritere diskriminuese po shkelin në mënyrë flagrante Ligjin për Prokurimin Publik dhe dispozitat e Ligjit Nr. 05/L -021 Për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Në komunikatën e tyre thuhet se është e papranueshme që prokurimi publik të vazhdojë të jetë subjekt i diskriminimit në çdo formë. Krijimi i një procesi të drejtë dhe transparent për prokurimin e kontratave publike është thelbësor për ruajtjen e besueshmërisë në institucionet tona dhe për sigurimin e qëllimeve të përbashkëta të zhvillimit.
“Si kriter diskriminues, i shprehur në dosjen e tenderit në fjalë është kërkesa për një traktor special me kreh min 8m për prerjen e drunjeve në brez rrugor, ku i njeti është i pa bazë për shkak se në paramasën e projektit nuk ekziston ndonjë pozicion për prerjen e drunjëve, në kuadër të aktivitetit të prokurimit publik në fjalë. Gjithashtu, kërkesa për posedimin e gjysmërimorkios (90 ton) për bartjen e mjeteve është kriter i panevojshëm, për shkak se e njejta nuk kërkohet asnjëherë me këtë lloj tonelate për bartje”, thuhet në komunikatë.
AVONET, ka kërkuar nga Autoriteti Kontraktues (Komuna e Prishtinës) të rivlerësojnë menjëherë kriteret e përdorura në prokurimin e projektit për ndërtimin e rrugës Nekibe Kelmendi, Faza III, dhe të korrigjojnë çdo element diskriminues nga procesi i prokurimit. Pasi që kriteret ekzsituese janë vendosur për të favorizuar një operator të caktuar ekonomik.
“AVONET konsideron se në rastin në fjalë ka shkelje të dispozitave materiale penale, konkretisht ka shkeleje që ndërlidhen me nenin 414 (Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar) dhe nenin 415 (Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj, ftojmë Autoritetin kontraktues të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm me qëllim evitimin e shkeljeve dhe keqpërdorimeve në rastin në fjalë”, thuhet ndër të tjera.