Në 25 vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe, u inaugurua Muzeu i Masakrës së këtij fshati. Aty morën pjesë e para e shtetit Vjosa Osmani bashkë me ambasadorë të huaj në Kosovë dhe folën për dokumentimin dhe rëndësinë e këtij muzeu për Kosovën. Teksa theksuan që masakra e Krushës ishte tregues se kishte ardhur koha që NATO të ndërhynte.
Si në çdo pranverë, edhe këtë herë Krusha e Madhe e Rahovecit i bëri bashkë.
E në këtë përvjetor të 25 të Masakrës, krushjanët po e inaugurojnë Muzeun e Masakrës.
Bashkë me ta, ishte edhe presidentja Osmani, ministra të qeverisë si dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.
E para e shtetit Vjosa Osmani tha se është në Krushë për të kujtuar gjenocidin e Serbisë dhe për të kërkuar drejtësi për të zhdukurit.
“Sot jemi këtu për ta institucionalizuar kujtesën tonë kolektive. Ky muze është në funksion të thirrjes sonë të përbashkët në drejtësi e cila akoma mungon. Ne nuk duhet ta harrojmë rrugën nëpër të cilën kemi kaluar. Pikërisht në krye të këtij mision kanë qenë krushjanët”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu siguroi se nuk do të ndalen duke kërkuar drejtësi derisa Serbia të japë përgjegjësi.
“Ky muze do t’i kontribuoj kujtesës sonë kolektive për të mos harruar asnjëherë krimet mizore dhe aktet gjenocidale të Serbisë fashiste”, deklaroi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në këtë përvjetor të masakrës, ambasadori amerikan, Jeffry Hovenier tha që NATO reagoi për ta ndalur gjakderdhjen.
“Ky muze është përkujtim i rëndësishëm për viktimat e masakrës. Kam marrë vesh që shumë prej jush keni avokuar që të keni këtë muze në 25 vitet e shkuara dhe është e duhur që ky muze është një dëshmi fizike e ngjarjve të tmerrshme që kanë ndodhur këtu dhe do të bëjë të mundshme që të mos harrohet kjo histori”, theksoi ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffry Hovenier.
Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde tha që Masakra e Krushës ishte tregues se kishte ardhur koha që NATO të ndërhynte.
“Kjo si dhe masakrat tjera, vetëm treguan se kishte ardhur koha tashmë që NATO të ndërhynte për ta shmangur atë tragjedi humanitare si dhe spastrimin etnik i cili po ndodhte këtu. Shumica e atyre që i kanë kryer këto krime janë ende në arrati dhe krejt çka mund të them, është që kjo nuk do të duhej të lejohej””, u shpreh ambasadori i Gjermanisë në Koosvë, Jorn Rohde.
E i pari i komunës së Rahovecit thotë se përmes këtij muzeu shihet se çfarë çmimi ka paguar populli për tokën e Kosovës.
“Ky muze do të trokas në ndërgjegjen tonë dhe të atyre që vijnë pas nesh, duke na treguar çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë e tokës sonë. Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më masive që u bë nga paramilitarët, policia dhe ushtria e shtetit terrorist të Serbisë”, tha kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Këtë masakër gjatë ditës e kujtuan edhe opozitarët me ç’rast kërkuan drejtësi duke theksuar që të qenit në rresht me aleatët e sigurisë, garanton se krime të tilla të mos ndodhin më.