Analisti politik, Arton Demhasaj tha se kryeministri Albin Kurti dëshiron ta dërgoj vendin në zgjedhje në fund të mandatit të dytë në mënyrë që në fillim të mandatit të ri qeverisës ta nënshkruaj Asociacionin dhe të vazhdoj me veprimet tjera, raporton teve1.info
Demhasaj këto komente i bëri në studion e “Këndit të Debatit” në Tëvë1, ku tha se nëse Kurti do ta nënshkruante tani vendimin për Asociacionin, do të ishte vetëvrasje politike për Kurtin.
“E bënë edhe shumë mirë më mirë se ne që e flasim këtu. Sepse po flasim për vitin e fundit të qeverisë Kurti dhe kushdo që kish qenë në vendin e tij, e kish pas vështirë me marrë një vendim të tillë sepse kjo kish me qenë vetëvrasje politike. Prandaj ky nuk dëshiron të merr këtë vendim në këtë kohë, dëshiron sa më shpejt mi mbajt zgjedhjet dhe pastaj me këdo që i fiton zgjedhjet me marrë atë vendim dhe pastaj me i vazhdu punët tjera. Kjo është shumë e thjeshtë dhe politikisht duket se është në rregull në këtë mendim por në momentin kur e ke pranuar draft-statutin pse nuk vepron kjo është çështje tjetër”, tha Demhasaj.
Këtë teori të Demhasajt e kundërshtoi kryetari i Gjilanit i cili vjen nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Hyseni, i cili tha se nuk mendon që Kurti bënë këso lloj kalkulimesh politike.
“Nuk e mendoj që Kurti bënë këso lloj kalkulime, sepse edhe në natyrën e tij edhe njerëzit që e njohin opinioni publik e di që nuk është njeri që kalkulon në këtë formë edhe nuk i ka ikë zhvillimeve dhe proceseve të mëdha dhe nuk është njeri që kalkulon në këtë formë për t’i ikë përgjegjësisë”, u shpreh Hyseni.
Megjithatë i pari i Gjilanit i cili është edhe anëtar i Kryesisë së VV-së, tha se partia që ai e përfaqëson është e gatshme të shkoj në zgjedhje qoftë të rregullta apo të jashtëzakonshme, vetëm se shtoi se nuk dallon gjë nëse zgjedhjet mbahen 2-3 muaj para fatit të rregullt apo jo zgjedhor.
“Me sa e kam kuptu edhe prej debateve, matematikisht nëse shkojmë në zgjedhje tash do të duhej të ishte fundi i vitit e që koincidon mandej edhe me një muaj ose dy para afatit të rregullt zgjedhor. Kështu që nuk e di nëse ka një efekt që shkojmë 1 muaj ose 2 më herët në zgjedhje, me qenë që shkojmë 1 vit ose 2 kur krijohet një momentum i caktuar politik mund të kishte ndonjë efekt më herët në zgjedhje. Nuk e di, nuk është diskutuar kjo të paktën në forumin ku marr unë pjesë në kryesi të VV-së a do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme apo zgjedhje të rregullta mirëpo nëse do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme do të jenë 2-3 muaj më herët para zgjedhjeve të rregullta, nuk e di cili kish me qenë efekti”, deklaroi Hyseni.