Pas orës 21:00 janë vetëm disa barnatore në kryeqytet që qëndrojnë të hapura për qytetarët në rast nevoje. Kjo për barnatoret po shkakton humbje te mëdha.
Sa i përket këtij vendimi për orarin e kujdestarisë së barnatoreve, Oda e Farmacistëve u shpreh se vendimi i marrë për barnatoret është shumë i drejtë.
Jehona Haka nënkryetarja e Odës të Farmacistëve të Kosovës , tha se kjo rregullore ishte vendosur në vitin 2010, por nuk ka qenë aktive. Haka tha se kur është bëre plotësim-ndryshimi i orareve të kujdestarisë për barnatoret, kanë pasur rreth 84 ankesa.
“Ndoshta me thanë sa është e drejtë, më mirë është për të thënë ndoshta sa është e drejtë të bëhet një orar për barnatore mendoj që vetëm që koha e fundit e rregullimit të një orari për barnatore vetëm se ka qenë tani. Kjo rregullore ka qenë e rregulluar nga viti 2010 po nuk ka qenë aktive dhe në vitin e kaluar nga drejtori i Shëndetësisë nga Komuna e Prishtinës, Izet Sadiku, me iniciativën e tij është aktivizuar dhe ka filluar orari i punës së barnatoreve, mendoj që është mjaft i qëlluar dhe i drejtë rregullimi i orarit për barnatore, se për pacientët e kanë qasjen në barnatore 24 orë, gjë që më herët nuk ka qenë në pesë barnatoret siç është tani. Barnatoret zakonisht kanë punuar të lira, kanë punuar derisa e kanë caktuar orarin e tyre, por barnatore kujdestare për 24 orë nuk ka pasur më parë. Tani është e rregulluar që 5 barnatore të kenë kujdestarinë gjatë çdo dite të javës, ndërsa të dielën dhe festave të kujdestarojnë 4 barnatore”, u shpreh Haka.
Vendosjen e kësaj rregullore e kanë mirëpritur shumë barnatore, ndërsa janë adresuar vetëm gjashtë ankesa nga farmacistët.
“Në fillim të vendosjes të këtij ligji e kemi pasur një ankesë, në të cilën kanë qenë të përfshira 6 barnatore të cilat nuk kanë qenë pro rregullimit të këtij orari. Por, ne jemi përafërsisht 174 barnatore në Prishtinë, 7 përqind kanë qenë të pakënaqur nga ky orar d.m.th. shumica janë të kënaqur me rregullimin e këtij orari. A ka nevojë për ndonjë ndryshim, besoj që po por mendoj që orari duhet të mbetet sepse së pari është në të mirën e pacientit. Në anën tjetër kur është bërë plotësimit ndryshimi i orarit dhe është menduar që orari të zgjatet kemi marrë 84 ankesa nga farmacistët dhe nga barnatoret të cilët nuk kanë dashur që orari të lëvizë”, tha Haka.
Për ato barnatore që punojnë jashtë këtij rregulli, Hakaj potencoi se nuk është kolegiale dhe se inspektorati i punës së Komunës të Prishtinës duhet të japë dënimet e merituara dhe jo vetëm të marrin masa.
“Së pari mendoj që nuk është kolegiale e para që të punohet, se çdo njëri nga ne e presim kujdestarinë. E dyta, dhe shpresoj që inspektorati i punës së Komunës së Prishtinës do ta intensifikojë punën e tyre dhe nëse hasin në parregullsi mos të japin masë, siç po ndodhë në praktikë. Deri tani vetëm verbalisht po jep vetëm disa lloj dënime, por mendoj që duhet të intensifikohen dhe të jepen dënimet e merituara”, përfundoi Haka.
Humbje financiare po kanë barnatoret shkak i kësaj rregullore. Pronarë e farmacistë po ankohen për këtë çështje. Ndër ta është edhe Arbnor Alidema, pronar i një barnatoreje në Prishtinë, për KossovaPress, u shpreh se humbjet e mëdha po vazhdojnë të jenë, ndërkaq tha se për pacientët është bërë shumë e vështirë që të gjejnë barërat që ju duhen dhe se të njëjtit detyrohen që të shkojnë në vende tjera jashtë kryeqytetit që të gjejnë barin që iu duhet.
“Patjetër që ka humbje, të gjithë pacientët tanë shkojnë ne Fushë Kosovë, në Graqanic 90% nga pacientët që nuk i gjejnë barnat ditën e diele, problemi është këtu dhe nga ora 9 deri në orën 11, të gjithë pacientët i kemi të cilët duhet me shku me veturë në Fushë Kosovë dhe në vende tjera për të gjet barna, që një kohë i kanë gjetur në Prishtinë dhe realisht QKUK në Prishtinë nuk është as në Fushë Kosovë as në ndonjë vend tjetër”, tha Alidemaj.
Problemi më i madh, sipas Alidemës është te Komuna e Prishtinës, pasi konsideron sepse këta të fundit duhet të ndërrojnë orarin e punës për barnatoret.
“Patjetër që duhet të ndërrohet orari, por nuk ka kush ta ndërrojë, këtu është problemi. Problemi është që në Komunë të Prishtinës i kanë kushtet mirë, në rregull janë, ata i kanë zyrat në rregull edhe punët i kanë në rregull, dhe nuk po iu intereson se ku po shkojnë qytetarët për të blerë barna, apo a ka barna në QKUK apo nuk ka d.m.th. deri në nëntor 98 mijë pacientët i ka pasur vetëm emergjenca, sa ka emergjenca pacientët aq ka banorë një komunë si Kaçaniku, kështu që unë mendoj që kjo duhet të ndërrohet por se çfarë janë duke bërë kjo le të mbetet në përgjegjësinë apo në profesionalizmin e tyre”, përfundoi ai.
Ndërsa, drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi tha se problemi i vazhdueshëm me të cilin po hasin si institucion, janë barnatoret të cilat nuk po e respektojnë orarin e kujdestarisë.
Ai tha se ka raste kur shumë barnatore punojnë në ditë te festave, si dhe pas përfundimit të orarit të përcaktuar ato vazhdojnë të jenë të hapura.
“Për befasinë time kemi pasur shumë probleme me barnatore, duke konsideruar se është një nivel tjetër dhe ata do të jenë persona që do të respektojnë më tepër orarin e përcaktuar… Kur kemi filluar aplikimin, kemi vërejtur që në shumë raste nuk është respektuar rregullorja, kemi gjetur që pas orës 21:00 kanë vazhduar edhe ato që nuk kanë qenë kujdestare të punojnë, ka pas raste që gjatë ditëve të festave të punojnë edhe ato që është dashur të jenë të mbyllura, por të gjitha këto i kemi inspektuar dhe mund t’iu them që gjobat janë shqiptuar edhe për barnatore”, potencoi Dushi.
Përndryshe, edhe Komuna e Ferizajt është në proces të hartimin të orarit për barnatoret./kp