Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se vendi i tij dhe Gjermania ndajnë mendime të ndryshme sa i përket Kosovës, teksa ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se stabiliteti i rajonit është parakusht për përfarim me BE-në.
Gjatë një konference për media pas takimit, presidenti Vuçiq tha se Serbia ka raporte të mira me NATO-n teksa shtoi se dialogu me Kosovën është zgjidhja e vetme për daljen nga kriza. Ai megjithatë e pranoi se Beogradi dhe Berlini zyrtar ndajnë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket Kosovës.
“Në lidhje me Kosovën, natyrisht, qëndrimet tona janë krejtësisht të ndryshme, duke pasur parasysh se Gjermania është një nga protagonistët kryesorë të njohjes së Kosovës së pavarur dhe të asaj politike. Siç e dini, ne ndryshojmë sa i përket kësaj çështjeje, por e kuptojmë shumë mirë se dialogu është zgjidhja e vetme për daljen nga kriza”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka përmendur edhe çështjen e ndalimit të vendosjes së euros si valutë e vetme pagese nga data 1 shkurt në Kosovë, të cilën e ka quajtur “provokim” dhe tentim për “spastrimin etnik të serbëve”.
“Besoj se ndalen provokimet dhe nuk jemi plotësisht dakord për çështjen e dinarit, sepse Republika e Serbisë konsideron se heqja e dinarit nga Kosova është krejtësisht e paligjshme. Unë vetëm dua që ju ta dini këtë, nuk ka asnjë letër tjetër që tregon diçka ndryshe. Prandaj, është një provokim i drejtpërdrejtë që askush nuk e kupton pse po e bën dikush, përveç qëllimit të spastrimit të plotë etnik të serbëve nga Kosova”, tha Vuçiq.
Ai tha se serbët në Kosovë ndodhen në gjendje të vështirë pas vendosjes së euros si valutë e vetme pagese, për të cilën shtoi se do të diskutojë edhe në mbledhjen e nesërme të Kombeve të Bashkuara.
“Po ne jemi në një situatë të vështirë. Gjithsesi është një situatë e vështirë për njerëzit tanë. Ne do të mundohemi t’i zgjidhim këto probleme. Do t’i sigurojmë paratë në një mënyrë ose në një tjetër. Por unë duhet të flas për këtë dhe do ta dëgjoni në fjalimin tim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nëse rastësisht nuk e mbyllin atë seancë”, tha Vuçiq.
Ndërsa, ministri gjerman tha se Gjermania e ka njohur tashmë Kosovën shtet dhe se ajo nuk po e armatos vetëm këtë të fundit, por edhe vende të tjera e të cilat kanë të bëjnë kryesisht me armatim mbrojtës.
“Gjermania po armatos jo vetëm Kosovën, por ajo dërgon material ushtarak në Serbi dhe në vende tjera në kuadër të nismës sonë për pajisjen e ushtrisë si kontribut i stabilizimit të rajonit dhe për të forcuar kapacitetet e çdo shteti. Pra, ne nuk ofrojmë armë ofensive, bëhet fjalë për mbrojtje. Ne e kemi pranuar Kosovën, vende e tjera nuk e kanë bërë këtë. Bëhet fjalë për një numër më të vogël të vendeve në botë dhe ky vendim i takon çdo shteti, por pavarësisht kësaj çështjeje, kërkesa për rajonin mund të jetë kur kemi parasysh synimin tonë për stabilitetin e rajonit si parakusht për përfarim me BE-në”, tha Pistorius.
Ai ka theksuar se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është esencial në përafrimin me Bashkimin Evropian dhe se Gjermania është e hapur në diskutime me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën dhe Serbinë.
“Republika Federale e Gjermanisë bisedon me të gjithë akterët në Ballkanin Perëndimor, edhe me Kosovën me fjalë të qartë, edhe me Bosnjën sa i përket stabilitetit të brendshëm dhe natyrisht edhe me Serbinë, sepse është në interes të kemi një rajon të qetë dhe stabil si partner i ardhshëm i BE-së. Pra kuptohet biseda për të gjitha çështjet dhe Serbia është për ne një partner i rëndësishëm”, tha Pistorius.