Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
I pritur nga drejtorja e kësaj kompanie, Lebibe Haliti, kryeministri i ka ofruar mbështetjen e tij për avancimin e mëtejmë të këtij institucioni.
Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë takimit të tyre, kanë diskutuar edhe rëndësinë e digjitalizimit të sa më shumë shërbimeve të cilat kontribuojnë në ambientin e të bërit biznes, zhvillimin e industrisë dhe rritjen e produktivitetit të bizneseve.
“Kjo e fundit e njoftoi kryeministrin Kurti për punën e deritanishme, lehtësimin e procedurave përmes digjitalizimit të procesit për kryerje të shërbimeve, planet për të ardhmen dhe sfidat e Agjencisë. Duke e përgëzuar për rezultatet, angazhimin dhe shërbimet e reja të cilat ARBK ka filluar së fundi t’i ofroj, kryeministri Kurti dha mbështetjen e tij për avancimin e mëtejmë të këtij institucioni shumë të rëndësishëm për shtetin dhe bizneset. Gjatë bashkëbisedimin u theksua rëndësia e digjitalizimit të sa më shumë shërbimeve të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në ambientin e të bërit biznes, zhvillimin e industrisë dhe rritjen e produktivitetit të bizneseve. Gjithashtu, u diskutua edhe për rolin që ARBK mund të luaj në raport me arsimin dual që tashmë është në vitin e dytë të zbatimit”, thuhet në komunikatë.
Pas vizitës në ARBK, kryeministri Kurti u mirëprit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga ministrja Hajdari dhe stafi i saj dhe i ministrisë. Së bashku diskutuan për planet dhe prioritetet e vitit 2024./teve1.info/.