Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës (IP), Hekuran Nikçi, ka thënë se gjatë viti 2023 ka pasur një rënie të numrit të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, kjo si rezultat i inspektimeve të shumta dhe gjobave të shqiptuara ndaj subjekteve që nuk kanë respektuar ligjet e punës.
Ai tha se gjatë viti 2023 në vendin e punës kanë vdekur 11 punëtorë, ndërsa shtoi se gjatë viti të kaluar janë realizuar mbi 8 mijë inspektime e janë shqiptuar mbi 1 mijë gjoba.
Ai ka thënë se sfidë për IP-në mbetet rekrutimi i inspektoreve të punës, por sipas tij, pavarësisht sfidave gjatë viti të kaluar kanë arritur t’i rekrutojnë 38 inspektorë të rinj duke rritur numrin në 60 inspektorë.
Nikçi ka thënë se IP-ja ka paraparë që për vitin 2024 t’i rekrutojë edhe 60 inspektorë të rinj, që numri total të rritet në 120.
“Gjatë viti 2023 IP ka qenë në shumë procese në kemi ndërmarr procesin e rritjes së numrit të inspektoreve të punës, u cili ka qen një proces me shumë sfida. Pavarësisht sfidave ne kemi arritur që vitin e kaluar ti rekrutojmë 38 inspektor të rinj të punës dhe numrin e përgjithshme të inspektoreve të punës ta rrisim në 60. Me këtë numër ne kemi arritur që prezencën ton në biznese ta rritim dukshëm dhe rrjedhimisht ta rritim edhe numrin e inspektimeve në përgjithësi me qëllimin e mbikëqyrje sa më efikase te të drejtave të punëtoreve. IP për vitin 2024 ka paraparë që këtë numër 60 të inspektoreve të punës ta rris më tutje. Për vitin 2024 parashohim që t’i rekrutojmë edhe 60 inspektor të rinj të punës që numrin total ta ngrisim në 120 inspektorë të punës”, tha ai për EO.
Kryeinspektori theksoi se sektori më problematik për shkeljen e të drejtave të punëtoreve mbete sektori i ndërtimtarisë, për të cilin tha se janë shqiptuar më së shumti gjoba.