Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me këshilltarin Federal të Zvicrës, Beat Jans. Kurti shprehu fillimisht mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës, si dhe diskutuan për rolin e fuqishëm që ka diaspora kosovare në shtetin helvetik.
Më tej, në takim Kurti i njoftoi diplomatin zviceran për të arriturat e qeverisë përgjatë këtyre tre viteve të fundit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen ekonomike të vendit, si aspekte që ndërlidhen me drejtësinë dhe zhvillimin e prosperitetin.
Po ashtu Kurti ka thënë se lufta kundër ilegalitetit në veri por edhe bashkëpunimi me institucione të sigurisë të vendeve mike e partnere, ka sjellë rezultate të prekshme në parandalimin e krimit të organizuar dhe aktiviteteve ilegale.
Sipas njoftimit për media lëshuar nga Qeveria, kryeministri Kurti e ka informuar këshilltarin federal Jans mbi procesin e Vetingut dhe mbi Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“U bisedua dhe për situatën e sigurisë në rajon, për sulmin terrorist e aktin e agresionit në Banjskë, për përpjekjet e Kosovës për integrimin e komunitetit serb dhe të drejtat e tyre politike pluraliste, demokratike dhe sociale”.
Gjithashtu, potenciali i jashtëzakonshëm i diasporës sonë në Zvicër dhe kontributi i tyre në shoqëri u vlerësua nga Jans.
Nga ana tjetër, kryeministri Kurti theksoi dhe ndikimin pozitiv të diasporës për Kosovën dhe suksesin e tyre në fushat në të cilat operojnë. Kurti potencoi dhe iniciativat e përbashkëta me Zvicrën si dy marrëveshjet për ndihmën e ndërsjellë juridike: për Transferimin e Personave të Dënuar dhe për ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për forcim të mëtejmë të bashkëpunimit, kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin Federal Jans për bisedën produktive dhe idetë e shkëmbyera, njofton Qeveria e Kosovës.