Instituti Demokratik i Kosovës, ka shpalosur detaje lidhur me praktikat siç u quajtën selektive dhe shkeljen e të drejtave të punës edhe në sektorin publik, duke u fokusuar veçanërisht në një rast në Komunën e Prishtinës që ka rezultuar në shkelje e të drejtave të punëtorëve të institucioneve arsimore në këtë komunë.
Aty u tha se në shtator të vitit të kaluar, KDI ka pranuar një raportim nga Edona Berisha, mësimdhënëse në SHML “Ali Sokoli” në Prishtinë, për mohim të së drejtës për pushim mjekësor.
Albesa Humolli, përfaqësuese e KDI-së, theksoi se viteve të fundit është një rritje alarmante e raportimeve të shkeljeve nga marrëdhënia e punës dhe parregullsive në vendin e punës.
“Raportimet e qytetarëve që KDI-ALAC pranon në baza ditore paraqesin një pamje të zymtë të sektorit publik dhe privat në Kosovë, ku mohimi i të drejtave të punëtorëve po bëhet gjithnjë e më i përhapur. Këto raportime zakonisht përmbajnë shkelje thelbësore, të tilla si mungesa e kontratës formale të punës, mospagimi i kontributeve pensionale dhe refuzimi i pushimit vjetor apo mjekësor me pagesë apo vonesat në pagë. Këto raportime të shpeshta dhe shqetësuese jo vetëm që nënvizojnë problemet e shumta me të drejtat e punëtorëve, madje edhe në nivelin e tyre më elementar por janë edhe indikator se ku po çalon lufta kundër korrupsionit në vend dhe cilat janë sektorët më të prekur nga korrupsioni”, u shpreh ajo.
“Ndërsa shumica e shkeljeve të të drejtave të punës raportohen në sektorin privat, KDI-ALAC ka shënuar një rritje të numrit të rasteve të shkeljeve nga marrëdhënia e punës brenda sektorit publik, kështu duke e sfiduar perceptimin e përgjithshëm se punësimi në sektorin publik është më i rregulluar dhe se të drejtat e punonjësve në këtë sektor janë më të mbrojtura. Ndryshe nga sektori privat, ku shkeljet shpesh ndodhin pas punësimit, sektori publik sheh shkelje më së shumti gjatë procesit të punësimit, duke përfshirë edhe rekrutimin. Sidoqoftë, kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet kur punonjësit e institucioneve publike paraqiten në KDI-ALAC me raportime mbi shkeljet e së drejtave të tyre në vendin e punës”, deklaroi ajo.
Sipas saj, institucioni arsimor në fjalë i kishte hequr asaj mëditjen për shkak të mungesës një-ditore në vendin e punës për shkaqe shëndetësore – duke theksuar në vendim që si vërtetim i vlefshëm është vetëm ai i lëshuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, e jo edhe vërtetimi i lëshuar nga qendrat tjera të mjekësisë familjare në Komunën e Prishtinës.
“Në shtator të vitit të kaluar, KDI ka pranuar një raportim nga znj. Edona Berisha, mësimdhënëse në SHML “Ali Sokoli” në Prishtinë, për mohim të së drejtës për pushim mjekësor. Institucioni arsimor në fjalë i kishte hequr asaj mëditjen për shkak të mungesës një-ditore në vendin e punës për shkaqe shëndetësore – duke theksuar në vendim që si vërtetim i vlefshëm është vetëm ai i lëshuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, e jo edhe vërtetimi i lëshuar nga qendrat tjera të mjekësisë familjare në Komunën e Prishtinës.
KDI-ALAC kishte asistuar znj. Berisha që të ankimojë vendimin në fjalë tek Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës. DKA-ja kishte refuzuar ankesën, duke cituar një Qarkore njoftuese (03-646-2023) të shtatorit 2023, sipas së cilës njihen si valide vetëm shenjat mjekësore dhe pushimet mjekësore të lëshuara nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.
“Kjo qarkore përcakton kufizime për mësimdhënësit sa i përket marrjes së pushimit mjekësor e kështu tejkalon kërkesat ligjore të përcaktuar nga ligji i punës në fuqi, si dhe të vetë kontratave të punës të nënshkruara mes mësimdhënësve dhe komunës. Ndonëse pa mbështetje adekuate ligjore në aktet në fuqi, KDI-ALAC ka zbuluar që kjo qarkore ka krijuar polemika si dhe praktika kontroverse e jokonsistente edhe në implementim. Si rrjedhojë, KDI, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, ka marrë konfirmim zyrtar nga Komuna e Prishtinës që qarkorja në fjalë interpretohet në frymën që valide konsiderohen të gjitha vërtetimet e lëshuar nga të gjitha institucionet publike shëndetësore, përfshirë edhe qendrat e zakonshme të mjekësisë familjare.
“Ky rast, por edhe të tjerë të kësaj natyre, flasin për praktika selektive të institucioneve publike në raport me administrimin e marrëdhënies së punësimit dhe respektimin e së drejtave nga marrëdhënia e punës në sektorin publik. Trajtimi diskriminues i znj. Berisha, flet për tendencën e institucioneve publike për zbatim të gabuar të akteve në fuqi, moskomunikim brenda niveleve të ndryshme të vendimmarrjes në institucione publike, si dhe ekzistimin e dispozitave të paqarta – që si faktorë mund të qojnë në shkelje të të drejtave bazike në punë.
“Kjo situatë kërkon një përgjigje urgjente dhe të fuqishme, jo vetëm në drejtim të rishikimit dhe zbatimit të politikave, por edhe në nxitjen e kulturës së llogaridhënies dhe transparencës brenda institucioneve publike në vend. Gjendja e rëndë e punëtorëve në Kosovë, duke luftuar kundër një sistemi të rrënjosur që shpesh shpërfill apo edhe shtyp të drejtat e tyre, kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar.
KDI-ALAC ju bënë thirrje të gjithë të punësuarve që të raportojnë rastet kur ata kanë qenë subjekte të praktika të padrejta të institucioneve ose kanë qenë viktimë e ndonjë formë të shkeljes së të drejtave të punës. Së bashku, ne mund të punojmë drejt krijimit të një mjedisi në vendin e punës ku çdo punonjës trajtohet me dinjitet dhe të drejtat e tyre respektohen plotësisht”./eo