Presidentja Osmani ka uruar përfaqësuesit rom në Ditën Ndërkombëtare të tyre dhe ka theksuar se Republika e Kosovës është shtet i lirë dhe demokratik në të cilin respektohen standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Në njoftimin e presidencës thuhet se Presidentja Osmani, ka thënë se komuniteti rom krahas komuniteteve të tjera është pjesë e rëndësishme e diversitetit kulturor të Kosovës dhe se ky komunitet ka dhënë kontribut në procesin e shtetndërtimit të vendit.
“Në Kosovë, të gjitha komunitetet duhet kenë mundësi të barabarta, sikurse edhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Komuniteti rom ka dhënë kontribut në shtetformim, në ndërtimin e fundamentit të shtetit tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Me rastin e kësaj Dite, Presidentja Osmani ka dekoruar post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave, dramaturgun, gazetarin dhe mësuesin e gjuhës rome, Nexhip Menekshe.