Shumë mjekë e infermierë janë detyruar që të kthehen nga pushimet e tyre për shkak të fluksit të madh të pacientëve me grip sezonal. Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, rreth 300 pacientë brenda natës po marrin shërbime shëndetësore. Ndërkaq, gjendja me barna esenciale, nuk është e mirë, ngase të njëjtit po detyrohen që shumicën prej tyre t’i blejnë vetë.
Kështu bën të ditur, në një intervistë për KosovaPress, kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë, Valdet Hashani, derisa u bënë thirrje pacientëve që janë të prekur nga simptomat e gripit të mos përdorin antibiotikë pa përshkrimin e mjekut.
Ai potencon se fëmijët janë më të prekurit nga kjo virozë, derisa përmend edhe të moshuarit e ata me probleme kronike.
Hashani thekson se gjendjes aktuale po i “kontribuojnë” edhe rastet pozitive me Covid-19 dhe ato me grip të derrave.
Hashani ka thënë se fluksi i pacientëve ka filluar të rritet, edhe Covidin e kemi prezent.
“Prej kohës së festave të fundvitit e deri më sot, fluksi i pacientëve ka filluar të rritet. Kjo nuk nënkupton që ka qenë edhe numër për shkak të ardhjeve të shumta që kanë qenë. Sigurisht ndërlidhet edhe me gripin sezonal që këtyre ditëve e ka rritur fluksin e pacientëve…Pacientët vijnë me simptoma që janë të rëndomta për gripin, këtu ndërlidh edhe faktorin që disa prej punëtorëve e kanë bërë testin dhe kanë rezultuar pozitiv në SArsCov2, pra edhe Covid-in e kemi prezent. Në disa raste kemi njoftime edhe prej QKUK-së, prej Klinikës së Infektives kanë raportuar se ka edhe të infektuar edhe me AH1N1 (gripin e derrit). I kemi të involvuara disa lloje ose tipe të viruseve këtyre ditëve…Të gjitha moshat janë të prekura, por më tepër rritje kemi tek fëmijët dhe tek të moshuarit, shto numrin e atyre pacientëve që kanë probleme kronike për shkak të imunitetit të tyre të dobësuar, kemi simptomatologjinë pak më të rënduar”, thotë Hashani.
Kryeshefi Valdet Hashani bën apel që pacientët mos të përdorin antibiotikë për trajtim të gripit, vetëm në raste se u përshkruhen nga mjeku, e që në vend të kësaj bën thirrje që të marrin sa më shumë lëngje dhe të pushojnë.
Hashani thekson se po përballen edhe me numrin e kufizuar të stafit shëndetësor, për t’iu përgjigjur kërkesave të pacientëve për ndihmë mjekësore. Ai shton se janë detyruar që të thirrin mjekë dhe infermierë që kanë shkuar për pushime edhe jashtë vendit për shkak të gjendjes aktuale me grip.
Hashani ka apeluar te pacientët që mos të përdorin antibiotikë pa përshkrimin e mjekut
“Apelojmë që pacientët në asnjë mënyrë, në këtë simptomatologji të mos përdorin antibiotikë, meqë kjo rezulton se është virozë. Është infeksion ngjitës ose infektive virale. Por, të qëndrojnë në shtëpi, të marrin sasi të mëdha të lëngjeve, antipiretik kundër temperaturës, kundër dhimbjes. Në qoftë se këto nuk pushojnë brenda 3-4 ditësh, të lajmërohen tek mjeku dhe pas ekzaminimeve ose nëse ka nevojë edhe analizave laboratorike, meqë shumica e qendrave tona i posedojnë laboratorët dhe kanë shërbime të shumta”, thekson Hashani.
Ndër të tjera, Hashani u bën thirrje pacientëve që mos t’u drejtohen vetëm QKMF-së për të marrë shërbime, por të shkojnë tek QMF-të e tyre më të afërta, në mënyrë që mos të rritet fluksi.
Ai tregon se muajve të kaluar, afro 8 mijë pacientë janë trajtuar në QKMF, derisa shton se gjatë këtij muaji ky numër është dyfishuar duke arritur në rreth 15 mijë.
Gjatë intervistës për KosovaPress, Hashani potencon se vetëm gjatë një ndërrimi të natës, nga 3 mjekë po marrin shërbime shëndetësore afro 300 pacientë.
Këtë, ai e quan ngarkesë, derisa shton se mungojnë edhe barnat esenciale për trajtim.
Ai thekson se shumica e terapisë duhet të blihet nga vetë pacientët, meqë gjatë vitit të kaluar sipas tij furnizimi nuk ka qenë edhe aq i mirë.
Hashani ka thënë se deri në 300 pacientë brenda natës, shumicën e barnave i blejnë vetë
“Gjatë ndërrimeve të natës gjithashtu është rritur numri. Normalisht kemi pasur në këto tri qendra që kemi shërbime 24 orëshe, me shërbimin nga ora 7 e mbrëmjes deri në 7 mëngjes, normalisht i kemi pasur 50-60 pacientë. Tani është rritur numri 200 e më shumë, kemi edhe 300 pacientë brenda një nate në 3 mjekë i kemi pasur”, potencion Hashani.
Përveç tjerash, Hashani vuri në theks rëndësinë e marrjes së vaksinës nga qytetarët, në mënyrë që të mbrohen nga simptomat e gripeve.
Ai bën të ditur se janë dhënë mbi 10 mijë vaksina deri më tani, derisa shton se vaksinimi vazhdon gjatë tërë vitit./KP.