Kurti për KosovaPress tha se shqiptarëve në Luginën e Preshevës iu është bërë një padrejtësi e madhe dhe rezultati jo i mirë në zgjedhje mund të jetë ndikuar nga pasivizimi i mbi 6 mijë adresave. Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të tregohet me e ashpër ndaj Serbisë që nuk po dënon as invzionin rus në Ukrainë.
Kreu i qeverisë vlerësoi se situata të dielën e 3 prillit ishte paqësore ndërsa qytetarët serbë me shtetësi të Kosovës shkuan në Serbi për votuar. Ai tha se kjo dëshmon se Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve.
Ai falënderoi Policinë e Kosovës për profesionalizëm dhe efikasitet në menaxhimin e situatës që nisi me organizimin e autobusëve nëpër komunat me shumicë serbë e deri në kthimin e tyre përsëri në Republikën e Kosovës.
“Zgjedhjet e Serbisë nuk u mbajtën dje në territorin e Republikës së Kosovës për shkak se nuk e kishim një marrëveshje paraprake siç e kemi kërkuar. Serbia i ka mbajtur zgjedhjet me këtë rast i falënderoj Policinë e Kosovës për profesionalizëm dhe efikasitet. Por gjithashtu edhe qytetarët serbë që kanë edhe shtetësi të Serbisë përveçse të Kosovës të cilët ishin të qetë teksa shkuan në katër komunat në Serbi për të votuar atje. Gjithçka ishte paqësore. Kjo dëshmoi që Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës pa dallim. Në bazë të të dhënave që kam marrë dje deri në orët e mbrëmjes mbi 18 mijë qytetarë kanë shkuar nga Kosova në Serbi. Prej tyre llogariten që 15 mijë kanë qenë votues për zgjedhjet në Serbi. Kur kemi parasysh që gjithsej serbë në Kosovë janë rreth 130 mijë dhe duke pasur njëkohësisht parasysh që jo të gjithë kanë të drejtë vote, dalja e tyre në zgjedhjet e Serbisë ka qenë gjithsesi më e ulët sesa 20 për qind. Kanë shkuar rreth 170 autobusë dhe minibus por edhe shumë të tjerë me vetura të tyre private”, tha Kurti për KosovaPress.
Përkundër thirrjeve të shumta të ndërkombëtarëve që duhet të kishte një zgjidhje për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Republikës, një gjë e tillë nuk ndodhi pasi Serbia nuk pranoi që të arrinte një marrëveshje me autoritetet e Kosovës.
Kurti theksoi se Kosova është vend që e do paqen dhe demokracinë e që ruan kushtetutshmërinë dhe sundimin e ligjit e që nuk ia shkele të drejtat askujt. Megjithëse përsëriti se nuk mund të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të një vendi tjetër përderisa nuk ka një marrëveshje.
Kryeministri i Kosovës deklaroi se Serbia nuk është vend demokratik por as neutral kur vjen puna tek invazioni rus në Ukrainë.
“Në Serbi nuk ka dilema për rezultatin e zgjedhjeve por vetëm për datën e tyre, sepse Serbia nuk është një vend demokratik por edhe karshi agresionit ushtarak e invazionit rus nuk është shtet neutral, andej po vazhdon autokracia dhe besoj që është koha e fundit që Bashkimi Evropian ta dënojë këtë autokraci e cila nuk po e dënon inavzioin rus në Ukrainë”, deklaroi Kurti.
Meqenëse në këto zgjedhje ishin edhe dy lista me kandidatë shqiptarë për deputetë në Kuvendin e Serbisë, Kurti tha se shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit i është bërë një padrejtësi e madhe, meqenëse rreth 6 mijë adresa llogariten të jenë pasivizuar.
Në këtë mënyrë kryeministri në intervistën për KosovaPress tha se po bëhet një spastrim etnik, me metoda administrative.
“Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc iu është bërë një padrejtësi e madhe meqenëse rreth 6 mijë vetave atje u janë pasivizuar adresat duke i diskriminuar mbi baza kombëtare. Po ndodhë një lloj spastrimi etnik, administrativ e burokratik i heshtur e i ftohtë e megjithatë me pasoja shumë të rënda, dhe unë besoj që rezultati jo i kënaqshëm i këtyre zgjedhjeve për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc vjen edhe për shkak të këtij spastrimi të heshtur që po iu bëhet atyre atje me metoda joluftarake kësaj radhe por administrative e burokratike”, u shpreh Kurti.
Sipas rezultateve preliminare Aleksandër Vuçiq ka arritur të marrë mandatin e dytë si president i Serbisë me rreth 60% të votave, ndërsa partia e tij ka shënuar rezultat më të dobët se zgjedhjet e kalaura në garën për Kuvend.
Vuçiq ka qenë ministër në kohën e kriminelit Sllobodan Millosheviq ndërsa Serbia mbetet ndër vendet e vetme në Ballkan e Evropë që nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë dhe madje e ka mbështetur me disa marshe të organizuara në Beograd. Rusia madje e përdori Serbinë edhe për t’ju shmangur disa sanksioneve.