Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, kurdo që ato do të mbahen, do t’i sjellin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve angazhime shtesë. Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar gjatë kësaj vere, ka ndryshuar pjesët kryesore të sistemit zgjedhor si për votimin brenda vendit, por edhe atë jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ky institucion është në proces e sipër të përgatitjes së akteve nënligjore, përmes së cilave rregullohen çështjet e specifikuara në ligjin e ri.
Sipas ligjit që hyri në fuqi gjatë muajit korrik, në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës, votuesi do të mund të votojë deri në 10 kandidatë për deputetë. Kjo çështje nuk ka ndryshuar në zgjedhjet për Kuvende Komunale pasi Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk është trajtuar në reformën zgjedhore.
“Sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, votuesi do të mund të votojë vetëm për një subjekt politik dhe të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë. Në ligjin e kaluar, ky numër ka qenë maksimalisht 5 kandidatë. Nëse votuesi ka zgjedhur më shumë se 10 kandidatë, atëherë numërohet vetëm vota për subjektin politik. Kjo çështje nuk ka ndryshuar në Zgjedhjet për Kuvende Komunale, ku votuesi voton 1 subjekt politik dhe mund të votojë për 1 kandidat për Kuvendin Komunal. Në këto lloj zgjedhjesh, vota për subjektin politik konsiderohet si votë për kandidatin e parë apo bartësin e listës. Nëse votuesi ka votuar për më shumë se 1 kandidat, atëherë numërohet vetëm vota për subjektin politik. Gjithashtu, as në Zgjedhjet për Kryetar Komune nuk ka ndryshime nga e kaluara për t’u shpallur fitues në raundin e parë një kandidat duhet t’i fitojë 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. Nëse nuk arrihet kjo, atëherë organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota”, tha Elezi.
Me ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, është ndryshuar edhe vendi se ku do të bëhet numërimi i fletëvotime. Sipas ligjit të kaluar, numërimi i fletëvotimeve ishte bërë në vendvotime, por me ligjin e ri, palestrat sportive nëpër komuna do të shndërrohen në hapësira ku do të numërohen ato.
“Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvende Komunale, numërimi i votave për subjektet politike bëhet në vendvotime pas përfundimit të votimit. Kjo nënkupton që KQZ-ja do të vazhdojë të publikojë rezultatet preliminare për subjektet politike siç bën zakonisht. Ndërsa, votat për kandidatët për deputetë dhe kandidatëve për Kuvende Komunale, do të numërohen në Qendra Komunale të Numërimit të fletëvotimeve. Në zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, numërimi i votave bëhet në vendvotime. Në çdo proces zgjedhor dhe në çdo komunë, KQZ-ja do të themelojë Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat do të shërbejnë për pranimin e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore. Gjithashtu, në këto Qendra do të bëhet edhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe të kandidatëve për Kuvende Komunale. Këto Qendra zakonisht do të vendosen në salla me përmasa të mëdha apo palestra sportive”, bëri të ditur Elezi.
Sipas Elezit, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të vazhdojë të ekzistojë edhe me ligjin e ri dhe se ajo do të shërbejë për numërimin e fletëvotimeve e kusht, fletëvotimeve jashtë Kosovës, rinumërimin eventual të ndonjë vendvotimi si dhe do të tabulohen rezultatet për çdo vendvotim pasi të numërohen fletëvotimet nëpër Qendra Komunale të Numërimit.
Edhe votimi jashtë Kosovës ka pësuar disa ndryshime thelbësore në krahasim me mënyrën se si i njëjti është zhvilluar në të kaluarën. Sipas Elezit, dy janë fazat kryesore të votimit jashtë vendit: Regjistrimi si votues jashtë Kosovës dhe votimi apo dërgimi i fletvotimeve.
“Gjatë fazës së parë, do të ketë një periudhë kohore kur shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë do të aplikojnë për t’u regjistruar si votues. Dy janë mënyrat për të aplikuar për regjistrim: 1. Përmes platformës elektronike, e cila do të krijohet nga KQZ-ja dhe 2. Përmes postës, në një nga kutitë postare të KQZ-së. Vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe në rast të pamundësisë objektive për regjistrim përmes platformës elektronike, KQZ-ja mundëson regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës edhe përmes e-mailit personal. Në momentin e regjistrimit, votuesit do të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: 1. Fizikisht, në përfaqësi diplomatike apo në hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit, sipas kritereve të KQZ-së; 2. Duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës; dhe 3. Duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike, jashtë Kosovës”, sqaroi Elezi.
Sipas KQZ-së, faza tjetër është votimi në përfaqësi diplomatike apo dërgimi i fletëvotimeve përmes postës, varësisht se për cilën mënyrë është përcaktuar më parë votuesi.
“Gjatë fazës së dytë, varësisht se për cilën nga mënyrat e votimit është përcaktuar votuesi, do të jetë edhe periudha se kur votuesi do të mund të votojë. Sipas ligjit, votuesit që zgjedhin të votojnë përmes postës, pakot e tyre me fletëvotime mund t’i dërgojnë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, apo në adresë të kutisë postare jashtë Kosovës, të cilat hapen nga KQZ-ja me ndihmën e përfaqësisë diplomatike. Gjithashtu, me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, do të organizohet votim edhe në përfaqësi diplomatike për votuesit që kanë përzgjedhur këtë mënyrë të votimi. Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë”, tha Elezi.
Se sa votues do të mund të votojnë në një përfaqësi diplomatike, kjo gjë ende nuk dihet, pasi sipas KQZ-së përmes akteve nënligjore do të përcaktohen kriteret dhe kushtet që përmbushin objektet e përfaqësive diplomatike, si dhe do të përcaktohet edhe numri maksimal i votuesve që mund të votojnë për secilën përfaqësi diplomatike.
“Sipas ligjit, KQZ përmes akteve nënligjore do të përcaktojë kriteret dhe kushtet që duhet të përmbushin objektet e përfaqësive diplomatike të shndërruara në hapësira votimi, si dhe do të përcaktojë numrin maksimal të votuesve që mund të votojnë për secilën përfaqësi diplomatike. Sipas ligjit, KQZ-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, do të bëjë vlerësimin e hapësirave fizike për secilën përfaqësi diplomatike”, tha më tej Elezi./KP