Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron të paligjshëm dhe të parregullt, anulimin e seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Sipas Grupit të Asamblistëve të kësaj partie në Prishtinë, kjo ndodhi me urdhër të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama.
Në konferencë për media, kryetari i Grupit të Asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, Gëzim Sveçla tha se pozita e dështoi seancën të cilën vetë e ka ftuar.
“Për sot ka qenë e ftuar një seancë e jashtëzakonshme me ftesë të kryetarit Rama, ku do të shqyrtoheshin tetë pika të rendit të ditës, kryesisht rregullore të cilat kanë të bëjnë me jetën praktike të qytetarëve të Prishtinës. Mirëpo, sot jemi dëshmitarë të një akti të paprecedentë, ku me urdhër të kryetarit Rama kjo seancë e jashtëzakonshme u anulua, akoma pa filluar mirë. Edhe pse ishin të gjitha kushtet, qoftë teknike, qoftë kuorumi dhe gjithçka ishte e gatshme për të filluar, në momentin e fundit nga drejtuesi i seancës, u njoftuam se kryetari ka bërë kërkesë për anulimin e seancës”, deklaroi ai.
Tutje, ai shtoi se “koalicioni LDK-PDK është i interesave të ngushta, të grupeve të caktuara të cilat kur nuk përputhen krijojnë bllokadë”. Sipas tij, koalicioni qeverisës e lëshoi sallën me urdhër të kryetarit Përparim Rama.
“Arsyetimi i kryetarit Rama përmes letrës së tij se anulimi ka të bëjë me disa vërejtje të cilat ne si opozitë i kemi shprehur në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, nuk qëndron. Për shkak se si opozitë dhe si anëtarë të Komitetit për Politikë dhe Financa në çdo takim që kemi pasur, ne kemi shprehur vërejtjet dhe sugjerimet tona, të cilat asnjëherë nuk janë marrë parasysh. Vlerësojmë se anulimi i kësaj seance, i paligjshëm dhe i parregullt, një akt i cili nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, ka ndodhur për shkak të përplasjeve brenda koalicionit qeverisës për shkak të mos përputhjes së interesave të tyre”, shtoi asamblisti i LVV-së.
Ai tregoi se cilat kanë qenë pikat që do të duhej të diskutoheshin në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, për çka tha se po humbin qytetarët e kryeqytetit.
“Për javë të tëra qytetarët e Prishtinës janë në ankth dhe janë të nënshtruar një terrori psikologjik në lidhje me dy rregulloret të cilat kanë qenë diskutimi për sot, çështja për ‘Prishtina Parking dhe për mbledhjen e mbeturinave’, e të cilat janë rregullore të cilat drejtpërdrejt ndikojnë tek qytetarët. Mirëpo edhe pse kishte një diskutim mjaft konstruktiv në mbledhjen për Komitet për Politikë dhe Financa dhe ku ne i dhamë propozimet tona, të cilat do të ishin të udhës që të diskutohen në seancë, kjo ndodhi me intervenim të kryetarit Rama që dha urdhër që të anulohet ajo seancë. Kjo është drejtpërdrejt përzierje e kompetencave në kompetencat e Kuvendit Komunal”, përfundoi ai./kp