Kombëtarja shqiptare U21 është rikthyer në Shqipëri ditën e djeshme, duke nisur menjëherë përgatitjet stërvitore për sfidën e radhës ndaj bashkëmoshatarëve nga Malit të Zi.
Takim i programuar për t’u zhvilluar të martën e 17 tetorit në stadiumin “Arena Egnatia”. Ekipi i drejtuar nga trajneri Alban Bushi është grumbulluar sërish në kompleksin “Tropikal” në Durrës.
Sa i përket gjendjes së ekipit, Cristian Shpendi dhe Enis Shabani kanë shfaqur probleme fizike pas ndeshjes me Finlandën U21. Dhe po mbahen në monitorim nga stafi mjekësor i skuadrës.
Për këtë arsye, trajneri ka vendosur të thërrasë Stiven Bibon dhe Eljon Toçin. Të dy lojtarët kanë qenë më parë pjesë e Kombëtares U21. Mesfushori Bibo aktivizohet me skuadrën e Laçit në “Abissnet Superiore”, ndërsa sulmuesi Toçi luan me ekipin e Sestri Levante në Itali.
Bibo dhe Toçi janë bashkuar me skuadrën në Durrës dhe janë vënë menjëherë në urdhrat e trajnerit Bushi. Kombëtarja U21 ka zhvilluar tri ndeshje në grupin E të eliminatoreve të Euro 2025 dhe ndodhet në vendin e dytë me gjashtë pikë.
Po aq sa Zvicra që kryeson renditjen falë golavarazhit më të mirë. Teksa helvetët kanë luajtur një ndeshje më pak. Shqipëri U21-Mali i Zi U21, do të zhvillohet të martën nga ora 14:30.