Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane në Kosovë, Veton Berisha, e ka ftuar komunitetin egjiptian në Kosovë që të marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë që pritet të filloj më 1 nëntor, raporton teve1.info
Berisha në studion e televizive të emisionit “Info-Nata” në Tëvë1, tha se në vitin 2011 ky komunitet në Kosovë ka pësuar shumë pasi nuk është regjistruar si duhet, rrjedhimisht asnjë planifikim buxhetor nuk është bërë për qytetarët egjiptian.
“Është shumë me rëndësi sepse politikat lokale sidomos ndarjet buxhetore bëhen bazuar në statistikat, projektet dhe ne e kemi pësuar prej vitit 2011 e kemi pësuar shumë për faktin që për egjiptianë nuk ka pas politika zhvillimore bazuar në numrin popullsisë. Ai proces për egjiptianët ka qenë i dështuar, nuk kishim regjistrues nga komuniteti egjiptian, kryesisht regjistrues që nuk na njihnin, dhe pësuam sepse në shumicën e familjeve që ka shkruar regjistruesi, formulari ka qenë i plotësuar dhe komuniteti ka qenë vetëm se i përcaktuar. Qysh ka dashtë regjistruesi i ka bërë, ka pas edhe të tillë që kanë hezituar, kur e kanë parë një njeri të huaj, ndrojtja ka qenë se mos po gabojnë. I bëjë thirrje egjiptianëve që të deklarohen ashtu siç janë, shteti na ka mundësua këtë mundësi ligjore, le ta shfrytëzojmë”, tha Berisha.
Ai në emisionin “Info-Nata” tha se është momenti kyç që të aplikojnë edhe regjistrues nga komuniteti egjiptian në Kosovë, në mënyrë që mos të bëhen gabime gjatë regjistrimit të popullsisë i cili pritet të ndodhë pas 12 viteve.
“Jemi në momentin e duhur për shkak që gjatë kësaj jave ka filluar një proces që është i rëndësishëm për egjiptianët për faktin se duke qenë pjesë e politikbërjes, për regjistrimin e popullsisë e di shumë mirë se sa është e rëndësishme që egjiptianët me qenë pjesë e këtij procesi dhe me u regjistrua pasi në 10 vitet e ardhshme politikat e popullsisë do të bëhen bazuar në këtë regjistrim. Afati për regjistrues është shtyrë deri të premten dhe bëjë thirrje të aplikojnë për regjistrues qytetarë nga komuniteti egjiptian”, u shpreh Berisha.
Ai i bëri thirrje që të mos ndërhyj askush në komunitetin egjiptian dhe siq tha të ndryshohet viti 2011.